ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit.

Dy prej këtyre rasteve janë regjistruar në Prishtinë, një në Suharekë, një në Prizren dhe një tjetër rast është regjistruar në Gjakovë.

Në Prishtinë një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

Rasti dyshohet që ka ndodhur dje rreth orës 16:30, dhe viktima është dërguar në strehimore.

Policia ka njoftuar se në konsultim me prokurorin, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një tjetër burrë është arrestuar dje në Prishtinë nën dyshimin se ka sulmuar një grua.

Viktima si pasojë e sulmit ka pësuar lëndime të lehta trupore, ka njoftuar Policia.

Sipas PK-së, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 21:00.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”-thuhet në raportin e Policisë.

Në Suharekë një burrë është arrestuar për dhunë në familje.

Ngjarja sipas Policisë, ka ndodhur në ora 16:10.

Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje, ka njoftuar PK.

Në Prizren, një grua ka raportuar në Polici se pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me një person të dyshuari, ai e kishte sulmuar fizikisht.

Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i është ofruar tretman mjekësor, ka njoftuar Policia.

I dyshuari në kërkim policor.

Ndërsa në Gjakovë një burrë është arrestuar për kanosje të një gruaje.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 20:00.

Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje, ka njoftuar Policia.