Pesë raste të dhunës brenda një dite në Kosovë, dy persona arrestohen dhe konfiskohet një armë

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

Policia njofton se gjatë trajtimit të këtyre rasteve, dy persona janë arrestuar dhe është konfiskuar një arnë zjarri.

Rastet e dhunës në familje janë raportuar në Podujevë, Fushë- Kosovë, Kaçanik, Klinë e Gjakovë.

Në Podujevë, policia ka arrestuar një person nën dyshimet se në vazhdimësi ka ushtuar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, sipas policisë është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Në Fushë Kosovë, po ashtu një grua ka raportuar së është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Edhe kësaj viktime i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit nga policia dhe inicimit të rastit ndaj tij është liruar me procedurë të rregullt.

Rasti tjetër i dhunës në familje është raportuar në Gabrricë të Kaçanikut.

Sipas policisë një grua ka raportuar se ndaj saj është ushtruar dhunë nga bashkëshorti.

Të dyshuarit, me këtë rast i është konfiskuar një armë zjarri.

“I dyshuari është intervistuar dhe gjatë intervistimit i njëjti e ka pranuar se posedon në shtëpi një pistoletë që është sekuestruar”- ka thënë policia. Sipas policisë, viktimës i është ofruan ndihmë mjekësore, ndërsa rasti shkon me procedurë të rregullt.

Kurse në Klinë, është arrestuar i dyshuar pasi, “pas një zënke të çastit” ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Kurse në Gjakovë, policia ka bërë të ditur se një i dyshuar ka sulmuar motrën e tij dhe gjendet në arrati.

Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor ndërsa, ndërsa rasti është në hetim.