Përurohet obelisku në Ferizaj në nderim të personave të pagjetur në këtë komunë

Në qendër të komunës së Ferizajt, është përuruar obelisku në nderim të personave të pagjetur në këtë komunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, pikërisht sot në Ditën e të Pagjeturve.

“Të pagjeturit janë plaga jonë e lirisë. Lufta për çlirim e sot liria, kanë vulën e sakrificës së Dëshmorëve të Kombit, martirëve të rënë për lirinë, të pagjeturve, në kujtim dhe nderim të të cilëve, sot në Ditën e të Pagjeturve të Komunës së Ferizajt, përuruam obeliskun në qendër të qytetit”, thuhet në njoftimin e komunës.

Në obelisk, do të vendosen lule e do të përkulen në nderim të të pagjeturve, u tha në këtë ngjarje, ku pjesëmarrës ishte kryetari i Ferizajt Agim Aliu, kryetari i Këshillit Koordinues për të Pagjeturit, Ahmet Grajqevci, deputeti Elmi Reçica dhe kryetari i Shoqatës të të Pagjeturve në Ferizaj “Yjet e Zemrës”, Sali Muhaxheri.