'Përplasje' mes Haxhiut dhe Tahirit rreth njohurive për drejtësi

Një ‘përplasje’ ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut dhe ish-ministrit të drejtësisë aktualisht deputet i PDK-së, Abelard Tahiri.

Tahiri iu drejtua Haxhiut duke i thënë se ajo nuk di për drejtësinë, pasi që ajo shpalosi punën dy vjeçare të qeverisjes.

“Vërtetë Albulenë me ty me folë për drejtësi është problem se s’din, pra e ke dëshmu shumë herë që s’din, me ty mundem me fol për vajin në tepsi, për gruan e frizerit, me folë për look-un tënd, me folë për punësime, për higjenën në ministri që na i prezanton shumë herë në Facebook, por për drejtësi s’mundemi me folë”- ka thënë Tahiri.

“Me ta shpallë antikushtetues ligjin për KPK-në, me ta shpallë antikushtetues ligjin për konfiskim të pasurisë, me ta shpallë antikushtetuese amendamentet për vetting, pra çka të mbetet më shumë ty apo kësaj qeverie. Jeni të padijshëm, jeni të paaftë, kemi me ju mujtë”- shtoi ai.

Për gjuhën e deputetit të PDK-së, ka pasur kritika kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se komentet për dukjen e grave në Parlament, përbëjnë seksizëm.

“Zotëri Tahiri, çdo koment në këtë Parlament për dukjen e grave, për flokët e grave, për pamjen e grave është seksizëm dhe nuk bën të bëhet në Parlamentin e Kosovës”- deklaroi Konjufca.

Në kundërpërgjigje të Tahirit, ministrja Albulena Haxhiu tha se “nuk merret me Abelard Tahirin sepse nuk pret asgjë nga ai”, teksa shtoi se nuk e di se për çka mbahet mend deputeti i PDK-së.

“Me Abelard Tahirin nuk merrem për gjuhën seksiste sepse nuk pres më shumë nga ai. Nuk e di për çka mbahesh mend Abelard. Mbahesh mend se qysh ti si ministër i drejtësisë, në vend se me i adresu seriozisht krimet e luftës e ke mbyllë institutin, e ke konfromentu komplet procesin e provimit të noterisë, për atë revolën e plumbave që nuk dëgjohet, apo jo. Kështu që ti me mua nuk mundesh me u shty kurrë në kuptim të reformave”- u shpreh Haxhiu.

“As nuk di me kërcënu gjyqtar e prokurorë qysh keni bo ju, e as me i thirrë nëpër zyre me i detyru me marrë vendime qysh keni qejf ju, ashtu jo, ama po për drejtësi për të cilën kanë nevojë qytetarët”- tha mes tjerash ministrja.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton propozim-rezolutën e AAK-së për punën dy vjeçare të Qeverisë së Kosovës. Kjo pikë e rendit të ditës ka qenë kërkesë e AAK-së që nga fillimi i muajit mars.