'Përplasje' mes deputetes Musliu dhe ministres Haxhiu për korrupsion e ndërhyrje politike

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganime Musliu dhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu “janë përplasur” në seancën e Kuvendit lidhur me raportet e organizatave për korrupsion e ndërhyrjet politike.

Deputetja Musliu ka thënë se opozita duhet t`i marrë meritat për raportet që nuk shkruajnë për ndërhyrje në gjyqësorin e Kosovës.

“Nëse raportet nuk shkruajnë për ndërhyrje në gjyqësor, rezultat është i opozitës më shumë se pozitës, nuk ka deputet as deputete që shkruan raporte kundër qeverisë qysh keni shkru ju. Nuk keni lanë zyre pa shku t`u thënë korrupsioni, korrupsioni, ndërhyrje politike, ata shkruajnë çka dëgjojnë, prandaj puno e mos na sugjero”- ka thënë Musliu.

Lidhur me këtë deklaratë është kundërpërgjigjur ministrja Haxhiu e cila ka thënë se organizatat që bëjnë raporte nuk i bëjnë ato me të dëgjuar.

“Organizatat vendore dhe ndërkombëtare nuk bëjnë raporte me të ndihme Gane, takojnë organizatat e shoqërisë civile dhe akterë të tjerë e pastaj bëjnë raportet”- ka thënë ajo.

Haxhiu ka pasur edhe një kundërpërgjigje lidhur me deklaratën e deputetes Musliut se “nuk ka deputet as deputete që shkruan raporte kundër qeverisë qysh keni shkrua ju (Lëviza Vetëvendosje)”.

“Me bindje të plotë e them, ky Kuvend nuk ka pasur asnjëherë opozitë më të fortë se Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk ka pasur asnjëherë Qeveri më të fortë se Lëvizja Vetëvendosje”- ka thënë Haxhiu.

Këto diskutime u bën gjatë kohës së deklarimeve jashtë rendit të ditës, në seancën e Kuvendit.