Përleshja fizike në Kuvend, Lushtaku ftohet nga Prokuroria
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka njoftuar se ka pranuar ftesë nga Prokuroria në Prishtinë lidhur me situatën e sotme që ndodhi në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se kësaj ftesë do t’i përgjigjet pozitivisht, sapo të përfundoj seanca plenare.
“Sapo më njoftuan nga zyra e grupit tonë parlamentar të PDK-së, se kam pranuar një ftesë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, për t’u deklaruar rreth ngjarjes së sotme. Ftesës do t’i përgjigjem pozitivisht, pasi të përfundoj seanca në Kuvendin e Kosovës” – ka thënë Lushtaku.
Në ftesën që ai ka pranuar, e që e ka postuar në Facebook shihet se është thirrur në cilësinë e të pandehurit, për veprën penale sulm.
Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës ka njoftuar se kanë iniciuar hetime në drejtim të veprën penale “Sulmi”.
Në njoftimin e Prokurorisë është thënë se është autorizuar Policia e Kosovës në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast.
“Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale Sulmi, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast” – thuhet në njoftim.
Prokuroria njoftoi se në koordinim të plotë me Policinë do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet komfor dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë.