Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përkundër premtimeve, Qeveria Kurti nuk ndanë asnjë cent për Spitalin e Podujevës

Në mbyllje të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Podujevë, Albin Kurti kishte premtuar se me të si kryeministër dhe me Shpejtim Bulliqin si kryetar, Podujeva do të bëhet me spital në vitin 2022.

“Ndërtimi i spitalit në Podujevë, mua kryeministër dhe me Shpejtim Bulliqin kryetar, Podujeva e fiton spitalin e saj, përfundimin e magjistrales, Prishtinë-Podujevë brenda vitit të ardhshëm”, kishte deklaruar Kurti.

Por derisa qytetarët e Podujevës janë në pritje të rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, ku do të përballen Ekrem Hyseni i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së, Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetin për vitin 2022 dhe në të nuk ka ndarë asnjë cent për spitalin e premtuar të Podujevës.

Bulliqi në DebatPërnime përballë Jeta Xharrës, në debatin për balotazh, ka thënë se ai ende nuk e ka parë buxhetin e Kosovës.

“Çështja e Spitalit është bë sikur Ura e Shenjtë, disa herë janë pre shirita për këtë spital. Qytetarët duhet ta presin atë që është e mundur. Qeverisja e kaluar ka nisur një objekt për urgjencën e qytetit por që nuk i përmbush as së afërmi kërkesat e urgjencës. Unë ende nuk e kam parë buxhetin dhe nuk e di ende. Buxheti ka shkuar në Qeveri ndërsa ne i kemi bërë kërkesat në resorët e caktuara. Interesi im jetik është që të bëhet spitali, por komuna e Podujevës nuk mundet me e bë spitalin sepse shuma është rreth 9 milionë euro”, ka theksuar Bulliqi.

Njëmbëdhjetë muaj më parë në fushatën zgjedhore për të parin e komunës së Podujevës, kandidati për kryetar të kësaj komune nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhmedin Rudari, para qytetarëve të kësaj komune pati premtuar se do të ndërtojë spitalin për qytetarët e kësaj ane.

Mirëpo në buxhetin e vitit 2021 nuk ishte ndarë buxhet për ndërtimin e këtij spitali nga Qeveria e udhëhequr nga Abdullah Hoti.

Mosndarja e buxhetit nga ana e Qeverisë Hoti, u kritikua nga tashmë kryetari i kësaj komune nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi.

Ai e kishte quajtur gënjeshtër e mashtrim premtimin e Rudarit për ndërtimin e spitalit pasi që nuk ishte ndarë asnjë cent për të.

“Ai projekti që paraqitej me pompozitet në fushatën zgjedhore në Llap nuk është askund. Ata që bënë zhurma mediatike për ndërtimin dhe funksionalizimin e Spitalit të Qytetit, që e kishin premtuar disa herë po dëshmohet se ka qenë gënjeshtër dhe mashtrim për qytetarët. Ai projekt është përdorur në funksion të fushatave elektorale e për qëllime të ulëta politike”, pati shkruar në Facebook dhjetorin e vitit të kaluar, kryetari aktual i Podujevës, Shpëtim Bulliqi.

Tenderi 9 milionësh për ndërtimin e spitalit të Podujevës ishte shpallur në vitin 2020. Në buxhetin e vitit 2021 nuk ishin paraparë mjete financiare për ndërtimin e tij. Duke iu referuar kësaj, Zyrtari Kryesor Financiar i ShSKUK-së në shtator të vitit 2021 kishte thënë se kjo procedurë nuk mund të vazhdojë për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.

“Ky projekt nuk ka mjete të parapara për vitin 2021-2022. Gjithashtu Zyrtari Kryesor Administrativ
më 30 shtator 2021, ka dhënë këtë koment ”Bazuar në sqarimet – informatat e ZKF-së për mungesë të mjeteve buxhetore aktiviteti i lartëpermendur nuk mund të vazhdojë me këtë procedurë. Prandaj, në bazë të informatave të lartëcekura si dhe situates së krijuar për mungesë të mjeteve financiare për ralizimin e këtij projekti, AK-SHSKUK-së, merr vendim që ky aktivitet i prokurimit të ANULOHET”, thuhet në njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetin prej 2.7 miliardë euro për vitin 2022, i cili ende pritet të marrë dritën e gjelbër në Kuvendin e Kosovës.