Përfundon seanca ndaj Naim Murselit dhe dy të tjerëve, Gjykata pritet të marrë vendimin për caktimin e paraburgimit

Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, për vrasjen e Liridona Murselit.

Seanca dëgjimore është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa gjykata tash pritet të marrë vendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.

Pak para fillimit të seancës Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion simbolik para Pallatit të Drejtësisë.

Me thirrjen “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” kjo organizatë paralajmëori protestë gjithë popullore në Prishtinë.

“Me thirrjen nuk ka paqe pa sigurinë e grave jemi mbledhur sot këtu në këtë aksion simbolik, për të dënuar edhe një tjetër vrasje makabre të një gruaje, e për të bërë të qartë se nuk do të qëndrojmë të qeta përderisa burrat vazhdojnë të dhunojnë e vrasin vajza e gra” – tha Trina Baraku nga kjo organizatë.

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” aksion simbolik para fillimit të seancës ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë