Përfundon seanca e Kuvendit, nuk ka kuorum për votimin e Projektligjit për Fondin Sovran
Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës së dytë.
Në rend dite ishte shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Fondin Sovran të Kosovës, mirëpo nuk është hedhur në votim për shkak të mungesës së deputetëve.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se për vazhdimin e seancave që mbetën në gjysmë do të njoftojë ditëve në vijim për mbajtjen e tyre.
Shumica e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar sallën menjëherë pasi Kuvendi ka filluar seancën e dytë për ditën e sotme, e cila vazhdoi me praninë e disa ligjvënësve të shumicës dhe me ata të opozitës.
LVV ka kundërshtuar mbajtjen e mbledhjes së re me arsyetimin se gjatë ditës nuk janë respektuar afatet e caktuara në Kryesi.
Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që të vazhdohet me pikat e rendit të ditës të seancës së parë.
Propozimi i saj nuk u hodh në votim, dhe më pas disa nga deputetët e shumicës u larguan.
Pas përfundimit të debatit për Raportin e Komsionit Europian, i cili zgjati tetë orë, Kuvendi i Kosovës rreth orës 18:00 ka filluar seancën e dytë e cila ishte paraparë të niste në ora 16:00.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në fjalën gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës ka kërkuar nga deputetët e LVV-së të rrinë në sallë për shqyrtimin e Projektligjit për Fondin Sovran.
“Ju ftoj me ndejtë në seancë sepse është një rend i ditës të cilin e kemi përcaktu së bashku si Kryesi e Kuvendit ku i keni pasë edhe përfaqësuesit e juaj. Sot në rend të ditës e keni edhe Fondin Sovran, një iniciativë e juaja, të cilin do ta votoni dhe ne do e kundërshtojmë kështu që është mirë që ju me qëndru në seancë”- ka thënë ai.
Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se ka qenë kërkesë e LVV-së që të mbahet kjo seancë dhe është e palogjikshme pse ata u larguan nga salla.
“Është detyrim që del prej mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit dhe si i tillë është detyrim për deputetët të jenë në seancë edhe pse ne si opozitë kemi pas hezitim që të mbahen dy seanca brenda ditës. Ka qenë insistim i pushtetit të mbahet kjo seancë, pra kjo që po e fillojmë tani dhe kur filloi seanca po ikin. Pra është e palogjikshme, e paarsyshme dhe e papranueshme”- ka thënë ai.
Seanca e dytë, në rend të ditës pati votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat janë bartur nga seanca e kaluar.
Përveç këtyre, pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Fondin Sovran të Kosovës.
Të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do të dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese votimin e Projektligjit për Fondin Sovran.