Dënim me kusht për ish-policin i cili akuzohet se ndërroi mostrat e një tenderi në vlerë prej 730 mijë euro

Gjykata e Prishtinës ka gjetur fajtor dhe dënuar Jeton Menxhiqin, i cili akuzohej nga prokuroria se kishte ndërruar mostrat e një tenderi në Policinë e Kosovës, e në këtë tender i akuzuari ishte duke e përfaqësuar Drejtorinë e Krimeve Ekonomike si person zyrtar.

Atij iu shqiptua dënim me kusht burgimi prej 2 vitesh, kurse si dënim plotësues iu shqiptua dënimi i ndalimit të ushtrimit të ndonjë funksioni në Administratën Publike në periudhë prej 3 vitesh.

Këtë vendim e mori gjyqtarja e rastit Alltën Murseli.

Në këtë proces gjyqësor, prokuroria kishte shfaqur edhe video-incizime, në të cilat shihej i akuzuari duke lëvizur mostrat.

Përveç këtyre, ishin dëgjuar edhe dëshmitarë.

Menxhiqi ishte dënuar nga kjo Gjykatë në qershor të vitit të 2022 me 1 vit e 6 muaj burgim, por Apeli e ka anuluar këtë aktgjykim duke e kthyer çështjen në rigjykim, në shkurt të vitit 2023.

Dosja e prokurorisë

Aktakuza thotë se më 8 gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës, i akuzuari duke përfaqësuar Drejtorinë e Krimeve Ekonomike, në cilësinë e personit zyrtar si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante” për tenderin në vlerë prej 730 mijë euro ka bërë ndërrimin e mostrave të prokurimit në favor të operatorit “Artious Group SHPK”.

Sipas Prokurorisë, komisioni prej 3 anëtarëve kishte vlerësuar se asnjëri nga 8 operatorët ekonomikë që kishin aplikuar për tenderin në fjalë nuk i kishin plotësuar kushtet për fitimin e tenderit.

Aktakuza përshkruan se atëherë i akuzuari Menxhiqi në ora 12:42, deri sa ishte duke qëndruar në zyrë, merr çelësin në mënyrë të kundërligjshme dhe pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit, në kohë të pauzës, ka shkuar në Zyrën e Prokurimit dhe ka ndërruar mostrat duke i vendosur mostrat e sjella nga jashtë në paketën e operatorit ekonomik “Artious Group” me qëllim që ky operator të fitonte tenderin sipas ofertës së tyre që ishte 506 mijë e 212 euro e 20 centë.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Kolegji i Gjykatës së Apelit i cili vendosi se kjo çështje duhet të trajtohet edhe njëherë për shkak të shkeljeve procedurale, faktike dhe materiale, përbëhej nga Burim Ademi – kryesues, Bashkim Hyseni dhe Tonka Berishaj – anëtarë.