Vrasja në ‘Bon Vivant’, të akuzuarit shpallen fajtor për të tretën herë

Gjykata në Prishtinë ka gjetur fajtor për herën e tretë Sherif Krasniqin dhe Masar Gërdovcin për vrasjen e vitit 2014 në lokalin ‘Bon Vivant’ , pasi që rasti ishte kthyer dy herë në pikën zero.

Nga ky rast në mënyrë tragjike kishte humbur jetën Rrahman Uka.

Masar Gërdovcin gjykata e ka gjetur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë në bashkë kryerje dhe të njëjtit gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 vite, si dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje gjykata i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumen prej 1500 euro.

Kurse Krasniqin për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje i ka shqiptuar dënim me kohëzgjatje prej 7 vitesh, ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje është refuzuar aktakuza meqë prokuroria është tërhequr nga kjo akuzë.

I pranishëm në gjykim ishte vetëm Sherif Krasniqi nga pala e akuzuar.

Në mars të viti 2022 prokuroria kishte ndryshuar aktakuzën e vitit 2015 dhe sipas këtij ndryshimi nuk ishte Sherif Krasniqi ai i cili e kishte privuar nga jeta të ndjerin por Masar Gërdovci.

Kujtojmë që me aktgjykimin e shkallës së parë të datës 18 dhjetor 2020 Masar Gërdovci ishte dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1 mijë e 500 euro me gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi ishte dënuar me 6 vjet burgim.

Me aktgjykimin e shkallës së dytë të datës 2 prill 2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.

Gjykata Supreme në përbërje nga kolegji i kryesuar nga Merjeme Memaj dhe anëtarët Nesrin Lushta e Agim Maliqi, pas shqyrtimit të kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë vlerësuar se çështja penale duhet t’i rikthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Supremja kishte gjetur se gjykata e shkallës së parë të dënuarit i ka shpallur fajtor për vrasje në bashkëkryerje duke e hequr elementin e rrezikimit të  personave të tjerë, mirëpo e njëjta nuk e ka sqaruar mirë se si i pandehuri Shefki Krasniqi ka kontribuar në vrasjen e tani të ndjerit Rrahman Uka.

Gjykata Supreme gjeti se janë të bazuara pretendimet për cenimin e identitetit objektiv në mes të aktakuzës dhe aktgjykimit, sepse të dënuarit janë shpallur fajtor për veprime të cilat thelbësisht dallojnë nga ato për çka janë të akuzuar.

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK