Foto: Ilustrim

Për 5 vite u shqiptuan vetëm 8 dënime me burg për shmangie tatimore

Kosova llogaritet si një ndër vendet me informalitet të lartë ekonomik. Gjendja e ekonomisë joformale në Kosovë, sipas raporteve vendore dhe ndërkombëtare, llogaritet të jetë rreth 30 % GDP-së ose afër 2 miliard euro në vit.

Të dhënat tregojnë se vetëm rreth 57% e bizneseve në Kosovë, janë të pajisur me arka fiskale, një formë kjo që në mënyrë direkte mundëson deklarimin e qarkullimit dhe e të hyrave financiare.

Në këtë informalitet kaq të lartë ekonomik, si duket po ndikon edhe mungesa e dënimeve adekuate nga sistemi gjyqësor.

Për pesë vite, Gjykatat e Kosovës kanë shqiptuar vetëm 8 dënime me burgim për shmangie tatimore dhe 1 një dënim me burgim për deklarim të rremë tatimor, që llogaritur për vit i bie hiç më shumë se 1.5 dënime me burg.

Shmangiet tatimore dhe deklarimet e rreme tatimore siç duket gjyqësori ka vendosur t’i ndëshkoj me gjoba ose kushte, por pa i dërguar në burg të dënuarit, edhe pse ligjvënësi ka përcaktuar dënime të ashpra deri në 8 vite burgim për këdo që kryen vepra të tilla.

Sipas të dhënave të dërguara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, shumica e dënimeve për shmangie tatimore dhe deklarim të rrejshëm tatimor janë dënime me gjobë. Për pesë vite janë shqiptuar 71 dënime më gjobë dhe 58 dënime me kusht.

Kodi Penal i Kosovës ka paraparë se dënimet për shmangie tatimore dhe deklarim të rrejshëm tatimor mund të shkojnë deri në 3 vite burgim ndërsa kur shmangia e tejkalon vlerën e 50 mijë eurove kryesi mund të dënohet deri në 8 vite burgim.

Ky dënim i shqiptohet kujtdo që shpallët fajtor, pasi është konfirmuar se u është shmangur detyrimeve tatimore përmes ofrimit të të dhënave të pavërteta, për të ardhurat apo për gjendjen ekonomike të tij.

E institucioni i cili do të duhej të kujdesej vazhdimisht për paraqitjen e këtyre rasteve në Prokurorin e Shtetit, duket se ka ngecje në këtë aspekt.

Në një shkallë kaq të lartë të infomalitetit, institucioni kryesor i mbledhjes së tatimeve në vend me mbi 800 punëtor brenda, ka paraqitur vetëm 453 kallëzime penale për shmangie tatimore dhe deklarim të rrejshëm tatimor gjatë periudhës 5 vjeçare.

“Divizioni për Përfaqësime dhe Bashkëpunim Ndërinstitucional, gjatë periudhës 2016 -2020, ka dorëzuar në prokurori 453 kallëzime penale, si dhe 161 raporte finale hetuese.”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Kjo nënkupton që brenda 1 viti ATK ka paraqitur 90.68 kallëzime penale për shmangie tatimore dhe deklarim të rrejshëm tatimor e që pjesëtuar në muaj i bie vetëm 7 kallëzime penale brenda një muaji.

Gjatë këtyre viteve të fundit, KALLXO.com është angazhuar në luftimin e ekonomisë joformale në vend.

KALLXO.com në bashkëpunim me qytetarët dhe ATK-në, kanë arritur që buxhetit të shtetit t’ia shtojnë mbi 200 mijë euro në buxhet.

Si rezultat i raportimeve të qytetareve mbi 200 biznese janë zënë duke shkelur rregullat tatimore, mbi 50 punëtor kanë marrë kontrata pune pasi ishte konstatuar se nuk ishin deklaruar nga punëdhënësi dhe shumë personave ka filluar t’u paguhet Trusti Pensional.

Gjatë kësaj kohe KALLXO.com më përkrahjen e Ambasadës Britanike në Kosovë, kishte publikuar raportet “Evazioni në punësime”,Raporti i monitorimit të Integritetit në ATK”, dhe “Integriteti, Disiplina dhe Etika në Administratën Tatimore të Kosovës”.