Çka thotë Raporti i Progresit për efikasitetin e sistemit të drejtësisë të Kosovës?

Raporti i Progresit i BE-së për Kosovën për vitin 2023, i cili iu dorëzua autoriteteve kosovare dje, thekson se kapaciteti i gjyqësorit dhe prokurorisë për të trajtuar në kohë rastet mbetet i kufizuar.

Kjo veçanërisht shquhet në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, me shumë të pandehur dhe me dëshmi komplekse.

Sipas Raportit, shtyrjet e pajustifikuara të seancave gjyqësore mund të shmangeshin nëse gjykata do t’u shqiptonte sanksione të pandehurve.

Koha mesatare e kaluar që nga paraqitja e një çështjeje gjyqësore deri në marrjen e vendimit, sipas Raportit, mbetet një arsye për shqetësim.

Në çështjet civile për vitin 2022 në shkallë të parë dhë të dytë koha mesatare e përfundimit të çështjes është 1 mijë e 396 ditë, kurse në çështjet administrative 953 ditë.

Kurse në çështjet penale koha mesatare për zgjidhjen e lëndëve në Departamentin e Përgjithshëm ishte 673 ditë, ndërsa për krimet penale koha ishte 740 ditë.

Koha mesatare në Departament Special ishte 1 mijë e 37 ditë.

“Gjatë periudhës raportuese, Avokati i Popullit vazhdoi të pranonte ankesa kundër gjykatave dhe prokurorëve lidhur me pretendime për zvarritje të pajustifikueshme në procedurat gjyqësore” – thuhet në Raport.

Raporti udhëzon autoritetet për t’i shqyrtuar këto vonesa, duke e konsideruar si mundësi edhe futjen e një mjeti juridik efektiv gjyqësor për të adresuar këto vonesa, duke e përmendur kompensimin.