Foto-ilustrim

Pejë, vajza e mitur goditet për vdekje nga vetura

Një vajzë e mitur ka vdekur sonte si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident komunikacioni.

Aksidenti me fatalitet ka ndodhur sonte rreth orës 19:00 në fshatin Kryshec të Pejës.

Rastin e ka konfirmuar Policia, e cila ishte njoftuar se një person i goditur nga një automjet është në gjendje të rëndë.

Viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë nga qytetarët dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar se e mitura ka arritur pa shenja jete.

Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë dhe prokurori i shtetit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zyrtari për informim i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Rasti në fjalë ka përfunduar me fatalitet dhe me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë”, tha Nikçi për KALLXO.com.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari pasi që është larguar nga vendi i ngjarjes, ka informuar Policinë për rastin dhe është shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë.

I njëjti është duke u intervistuar për veprën e shkaktuar ‘Aksident trafiku me fatalitet’, të ndodhur në fshatin e lartcekur, me ç’rast personit të dyshuar me urdhër te prokurorit  i është caktuar masa e ndalimit policor për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.

Rasti është duke u hetuar nga hetuesit e Njësitit të komunikacionit rrugor Drejtoria Rajonale e Policisë Pejë.