Pejë, katër pacientë me COVID-19 në respirator

Spitali Rajonal i Pejës ka njoftuar se aktualisht 130 pacientë me coronavirus janë duke marrë tretman mjekësor, prej tyre katër janë në respirator – CPAP, 89 të tjerë janë nën asistim me oksigjeno- terapi, ndërsa nga këta 21 pacientë janë në gjendje të rëndë.

Gjithashtu është bërë e ditur se gjatë 24 orëve pesë pacientë janë shëruar nga infeksioni SARS-CoV-2.

Dje në Pejë janë shënuar 17 raste të reja me COVID-19, përderisa në nivel vendi janë shënuar 453 raste pozitive me SARS-CoV-2.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.