Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com
PDK: Shkarkimi i drejtorit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës është politik
Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se shkarkimi i drejtorit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës është politik.
Sipas PDK-së, shkarkimi ka të bëjë me ambasadorin Martin Berishaj, si dhe drejtorin e pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
“Shkarkimi i këtij drejtori që po hetonte këta zyrtarë, është një përpjekje politike, është një ndërhyrje politike në hetim nga ana e Qeverisë, për të mbuluar skandalin e Martin Berishajt dhe për të penguar hetimet e mëtejme për këtë skandal dhe për skandalin e Nagip Krasniqin” – tha Gruda para gazetarve.
Ai tha se me këtë Qeveria po tenton që të dekurajojë hetuesit e pavarur brenda Policisë së Kosovës.
“Ky nuk është rasti i parë kur Qeveria me ndërhyrje politike tenton që të ndërhyjë në rastin e Martin Berishajt. Para shkarkimit të këtij drejtori, është shkarkuar edhe drejtori i Krimeve Ekonomike para disa muajsh. Këto shkarkime tregojnë se Qeveria do ti marrë në mbrojtje njerëzit e korruptuar dhe nuk don që të mësohet e vërteta e këtij rasti” – tha ndër të tjera Gruda.
Shefi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, (ish Task Forca), Shemsi Haziri është shkarkuar nga kjo pozitë.
Haziri tha se vendimi i është komunikuar verbalisht ndërsa arsyet pse është shkarkuar nuk i di ende.
Shkarkohet Shemsi Haziri, shefi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës