PDK paralajmëron hetim parlamentar për 'lidhjet' e VV-së me ‘Syrin e Popullit’

Ministri në detyrë i Drejtësisë dhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se në seancat e radhës së Kuvendit të Kosovës do të kërkojnë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për, sipas tij, lidhjet e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe kryeparalamentarit, Glauk Konjfuca me organizatën “Syri i Popullit”.

“Për faktin se tashmë kemi një aktgjykim dënues për disa persona të akuzuar për vepra terroriste kundër rendit kushtetues, përmes organizimit në tentativë të atentateve ndaj krerëve të shtetit, si dhe për faktin se në mesin e këtij grupi ka anëtarë e familjarë të krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje, heshtja e saj dhe mos distancimi nga ky grup është e pa pranueshme”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

“Shoqëria jonë, në kuadër të rendit demokratik e liberal është edukuar në atë mënyrë që të tolerojë diversitetin e bindjeve politike dhe ballafaqimin e tyre në kuadër të debatit politik. Por nuk mund të tolerojë cenimin e këtyre parimeve nga organizata para-politike, të nxitura e të motivuara politikisht nga subjektet që abuzojnë me demokracinë për t’iu kundërvënë të njëjtës”, ka shtuar Tahiri.

Ai ka thënë se mbi këtë bazë, është emergjente që relacioni i Vetëvendosjes dhe veçmas Albin Kurtit e Glauk Konjufcës me këtë organizatë.

“Ne si PDK do të sigurohemi që një gjë e tillë të ndodhë, pikërisht aty ku ndërtohet dhe ballafaqohet politika, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pa një epilog gjithëpërfshirës mbi këtë çështje, figura e Glauk Konjufcës si Kryetar i aureolës së demokracisë tonë, Kuvendit të Republikës, është tërësisht e pa pranueshme”, ka thënë në fund Tahiri.

Më 22 janar, Gjykata kishte vendosur në lidhje me të akuzuarit e “Syrit të Popullit”.

Kurti flet për akuzat e Thaçit në rastin ‘Syri i Popullit’

Në këtë proces gjyqësor kanë dëshmuar edhe krerë të lartë shtetëror, duke filluar nga i pari i Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, i cili kishte thënë se “pas organizatës që plagosi Azem Vllasin qëndron Albin Kurti e Glauk Konjfuca”.

Kjo deklaratë e Thaçit aktivizoi Kurtin e Konjufcën për parashtrimin e kallëzimit penal ndaj Thaçit dhe Veselit dhe pastaj me zhvillimin e hetimeve në Prokurori.

Kurti në Prokurori për deklaratat e Thaçit e Veselit

Kurti e Konjufca dorëzojnë kallëzim penal ndaj Thaçit e Veselit për ‘Syrin e Popullit’

Poashtu në cilësi të dëshmitarëve ishin edhe krerët politikë ish-kryetari i parlamentit Kadri Veseli, Xhavit Haliti,  pastaj Fatmir Limaj, Berat Buzhala, Albulena Haxhiu.

Ndërsa ish-kryeparlamentari Kadri Veseli kishte deklaruar për të akuzuarit se “këta janë krahu i armatosur i Vetëvendosjes”.

Kadri Veseli për ‘Syrin e Popullit: Këta janë krahu i armatosur i Vetëvendosjes

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 27 shkurt 2018.

Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është gjykuar nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë e ka përfaqësuar Prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzës ishin veprat penale duke filluar nga hakmarrja, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast – LINK