PDK kundër zgjatjes së masave emergjente për energji, thotë se Qeveria po i keqpërdorë masat

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala ka deklaruar se Qeveria po keqpërdor çështjen e masave emergjente për energjinë elektrike.

Ai ka thënë se Qeveria po fshihet pas nenit të Ligjit për energjinë elektrike.

“Sot po flasim për herë të pestë apo gjashtë tashmë është vështirë edhe me i numëru, që ky Kuvend po e zbatojnë një pikë që opozita ja kujtuam në rrethana shumë të veçanta që mund të shpallet gjendja emergjente energjetike por që fatkeqësisht po keqpërdoret ky nen i ligjit duke vazhduar në pakufi shpallja e masave emergjente. Gjashtë herë radhazi, shmangie procedurale dhe asnjë raport nuk e ka sjell ministria në Kuvend dhe qytetarët me ditë cilat janë efektet apo pasojat eventuale”- ka deklaruar Shala.

“Nuk është produktive mënyra qysh po silleni si Qeveri dhe si ministri në raport me sektorin. Ju mshefeni pas këtij neni çdo muaj duke nxjerrë akte normative dhe vendime të cilat keni mujtë në kushte normale me nxjerrë”- shtoi ai.

Shala ka thënë se PDK nuk i mbështet miratimin e masave emergjente .

“Ne konsiderojmë që nuk mund të jemi pjesë e kësaj episode keqmenaxhuese në sektorin e energjisë dhe do jemi kundër. Ju lutem reflektoni sepse tepër gjashtë muaj jemi, duke pritur situatë, ku është strategjia e energjisë sepse jemi në fund të vitit. Nuk ka strategji. Duhet të përfundojë, gjendja emergjente mund të vazhdojë por telekomendia juaj duhet të ndalet”- tha ai.

Qeveria e Kosovës më 28 tetor të këtij viti ka miratuar propozim-vendimin për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se duke pasur parasysh se situata me rrymën mund të përkeqësohet gjatë dimrit, Ministria e Ekonomisë ka propozuar zgjatjen e masave.

“Duke pasur parasysh se situata e furnizimit me energji elektrike mund të përkeqësohet gjatë muajve të dimrit, si dhe çmimet e importit mund të rriten, Ministria e Ekonomisë propozon zgjatjen e masave të emergjencës së furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë” – ka deklaruar Kurti.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se javëve të fundit ka pasur përmirësim në tregun e Evropës sa i përket energjisë elektrike, por që sipas saj situata mund të përkeqësohet në muajt e dimrit.

“Megjithëse, gjatë javës së fundit kemi pas përmirësim në tregun e Evropës, rezervat janë të mbushura me gaz të lëngshëm. Mirëpo kjo situatë pritet të jetë vetëm e përkohshme andaj pritet të vazhdohet që situata me furnizim me energji të jetë problematike gjatë dimrit në vijim, andaj kërkoj nga ju të votoni dhe më pas ta procedojmë në Kuvend kërkesën për të vazhduar masat për furnizim me energji edhe për 30 ditë siç e lejon ligji për energjinë elektrike”- tha ministrja.

Në gusht të ktij viti, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar vendimin e Qeverisë për masat emergjente për një periudhë prej 60 ditëve.