Qeveria miraton propozimin për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji për 30 ditë

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se duke pasur parasysh se situata me rrymën mund të përkeqësohet gjatë dimrit, Ministria e Ekonomisë ka propozuar zgjatjen e masave.

“Duke pasur parasysh se situata e furnizimit me energji elektrike mund të përkeqësohet gjatë muajve të dimrit, si dhe çmimet e importit mund të rriten, Ministria e Ekonomisë propozon zgjatjen e masave të emergjencës së furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë” – ka deklaruar Kurti.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se javëve të fundit ka pasur përmirësim në tregun e Evropës sa i përket energjisë elektrike, por që sipas saj situata mund të përkeqësohet në muajt e dimrit.

“Megjithëse, gjatë javës së fundit kemi pas përmirësim në tregun e Evropës, rezervat janë të mbushura me gaz të lëngshëm. Mirëpo kjo situatë pritet të jetë vetëm e përkohshme andaj pritet të vazhdohet që situata me furnizim me energji të jetë problematike gjatë dimrit në vijim, andaj kërkoj nga ju të votoni dhe më pas ta procedojmë në Kuvend kërkesën për të vazhduar masat për furnizim me energji edhe për 30 ditë siç e lejon ligji për energjinë elektrike”- tha ministrja.

Në gusht të ktij viti, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar vendimin e Qeverisë për masat emergjente për një periudhë prej 60 ditëve.

“Ne propozojmë shpalljen e masave emergjente, miratimin e tyre nga Kuvendi për një periudhë fillimisht 60 ditë prej nga data kur hyn në fuqi. Megjithatë, Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat të vazhdojë për periudha të njëpasnjëshme 30 ditëshe me shumicë të votave të deputetëve në seancë, për deri në periudhë maskimale deri në 180 ditë shtesë”, ka thënë Rizvanolli.

Më 24 dhjetor të vitit 2021, Qeveria e Kosovës pati shpallur 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energjinë elektrike.

“Si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Më pas, me 23 shkurt të këtij viti, Qeveria kishte marrë vendim që të zgjatet edhe për 30 ditë gjendja emergjente e furnizimit të energjisë elektrike.

Këtë propozim para kabinetit qeveritar e kishte bërë Mentor Arifaj, zëvendësministër i Ekonomisë, i cili pati theksuar se gjendja është përmirësuar.

Qeveria e Kosovës, duke u bazuar në Ligjin për Energjinë, kishte vendosur që të shpallë gjendje emergjente për furnizim me energjinë elektrike.

Neni 25 i Ligjit për Energjinë flet për shpalljen e kësaj gjendje.

Sipas këtij neni, Qeveria si masë emergjente mund të vendosë kufizime në furnizimin me energji për konsumatorët ose të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë në këto raste: Në gjendje të jashtë zakonshme, në pajtim me përcaktimin e Kushtetutës; në situate të tjera emergjente, nëse Qeveria ka deklaruar se duhen masa emergjente në sektorin e energjisë;

Më tutje, Ligji për Energjinë thotë se nëse Vendimi i Qeverisë i marrë sipas paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 25, e nëse ky vendim miratohet nga Kuvendi, do të jetë i vlefshëm maksimumi 60 ditë, përveç nëse i njëjti zgjatet nga Kuvendi.