Ilustrim

PDK kërkon nga deputetët që të miratohet rezoluta për Policinë e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që përveç se të diskutojnë për rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, edhe ta miratojnë atë.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, deri sa ka folur për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, ka thënë se terroristët u zbuluan, penguan e u mundën nga PK-ja.

“Terroristët u zbuluan, u penguan, u luftuan dhe u mundën nga Policia e Kosovës. Disa u arrestuan, disa u eliminuan e disa të tjerë arritën që të ikin nga Kosova. Ishin Policët e Kosovës që me një përkushtim të pashoq me vetëmohim dhe përgjegjësi të lartë, me një guxim të madh, me një profesionalizëm të rrallë përballë këtij formacioni ushtarak terrorist”- ka thënë Qalaj.

Qalaj tha se nga hyrja në fuqi më 5 shkurt 2023 e Ligjit për pagat në sektorin publik, zyrtarëve policorë u është ndaluar shtesa e rrezikshmërisë.

“Nga hyrja në fuqi me 5 shkurt 2023 e Ligjit për pagat në sektorin publik, zyrtarëve policorë u është ndaluar shtesa e rrezikshmërisë, shtesë të cilën policët e kanë marrë gjithmonë në të kaluarën. Ky është një vendim i padrejtë dhe ndikon drejtëpërdrejtë në mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre mirëpo edhe në vullnetin përballë punës së përditshme sfiduese” – tha deputeti.

“Policia është duke u përballur edhe me çështjen e mungesë së sigurimeve shëndetësore, edhe pse Policia e Kosovës kujdeset për policinë e saj përmes Drejtorisë për Shërbime Shëndetësore, në kuadër të PK-së, prapë se prapë është e rëndësishme që policët ta kenë të rregulluar me ligj çështjen e sigurimit shëndetësore”- shtoi ai.

Më tej, Qalaj u ka bërë thirrje që rezoluta e mbështetur edhe nga deputetët e opozitës, të miratohet nga Kuvendi.

“PDK-ja e ka iniciuar në draft-rezolutë, e mbështetur nga të gjithë deputetët e opozitës dhe deputetë tjerë që janë në këtë parlament dhe mendoj që sot është dita më e mirë, që përveç që të diskutojmë edhe të miratojmë rezolutën në fjalë. Është dëshmia e përkushtimit për mbështetjen e Policëve të Kosovës në kohën kur puna profesionale e tyre na bën krenar të gjithë”- theksoi ai.

Përmes rezolutës, PDK po kërkon nga Qeveria që të bëj ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.

PDK gjithashtu kërkon nga Qeveria që të propozojë buxhetin e nevojshëm për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë.

Këto janë pikat e rezolutës së propozuar nga PDK-ja:

  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit prej 15 ditë nga miratimi i kësaj rezolute, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërise per Policinë e Kosovës dhe atë, në mënyre retroaktive nga dita e hyrjes ne fuqi të Ligit 08/L-196 per Pagat në Sektorin Publik (për secilin muai).
  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që të propozojë buxhetin e nevojshëm – për vitin e ri fiskal 2024, për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë te Republikës se Kosovës, nga data 1 janar 2024.
  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit 60 ditor nga miratimi i kësaj rezolute, të marrë nismën për hartimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm te zyrtarëve policorë të Policisë se Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit.
  • ZOTOHET që shqyrtimin parlamentar të projektligjit nga pika 3 e kësaj rezolute, ta bëjë në procedurë te përshpejtuar në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet e seancës së jashtëzakonshme për shqyrtimin e propozim-rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në sallë të pranishëm janë deputetët e opozitës por jo edhe ata të pozitës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca deklaroi se në mbledhjen e Kryesisë është vendosur që të mbahet kjo seancë e jashtëzakonshme edhe pa praninë e 61 deputetëve.