Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK-ja prezentë në seancë, por nuk e bëjnë kuorumin për votim

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratoj në parim projektligjin për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë.

Për këtë pikë janë shprehur kundër Partia Demokratike e Kosovës të cilët nuk kanë marr pjesë në votim përkundër që ishin prezent në sallë.

Për tri herë ky projektligj është hedhur në votim dhe nuk ka pasur kuorum për t`u votuar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se deputeti i PDK-së Ferat Shala kishte thënë se është kryer votimi. Kurse këtë deklaratë Konjufca e cilësoi si paradoksale.

“Është paradoksale mos me marr pjesë në votim e me than u kry”, tha Konjufca.

Deputeti Ferat Shala, tregoi arsyet se pse nuk kanë marr pjesë në votim.

“Kur një projektligj është i keq dhe kur një shumicë parlamentare arrogante në numra dojnë me kalu e vetmja mënyrë demokratike është mos m`u solidarizu me arrogancën e numrave dhe ne për këtë nuk po marrim pjesë në votim. Ju kërkuam intelektualisht që ta ktheni ligjin”, tha Shala.

Konjufca iu drejtua Shalës duke i thënë se “një kontribut shumë të çmueshëm mund ta jepni edhe ju në leximin e dytë i dashuri deputet”.

Për herën e tretë kur u votua projektligji kishin marrë pjesë vetëm 59 deputetë në votim.

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë ka prezantuar para deputetëve katër shtyllat kryesore përmes cilave arrihet ky projektligj.

“Arrihet përmes 4 objektivave ose shtyllave kryesore e para është shfrytëzimit më i mirë i infrastrukturës ekzistuese dhe rritja e transparencës së saj duke i përfshirë gjitha shërbimet publike. E dyta duke rrit transparencën dhe koordinimin e punimeve ndërtimore inzhinjerike, përshpejtimi i dhënies së lejeve dhe e katërta sigurimi i mundësisë për qasjen në internet të shpejtësisë së lartë të ndërtesave”, tha ajo.

Ferat Shala deputet i Partisë Demokratike të Kosovës tha se PDK nuk mund ta mbështes këtë projektligj duke shtuar se ky ligj ka të meta.

“Ky ligj nuk është i kësaj qeverie e kanë pru qashtu të paketuar. PDK nuk e mbështetë këtë ligj me këto të meta përkundër nevojës që vendi ka për këtë ligj dhe ligje të kësaj natyre”, tha Shala.

Besnik Tahiri nga AAK, kërkoi që ky ligj t`i kthehet qeverisë.

“Ka probleme serioze në raport me zbatimin e këtij ligji. Ky ligj a ka implikime financiare dhe ministrja duhet të na tregoj se në çfarë forme është planifikuar që ky ligj mos të ketë asnjë implikim financiar. Nëse nuk ka ky ligj implikim financiar nuk po rregullojka një çështje të re”, tha Tahiri.

Ministrja Rizvanolli tha se kosto e këtij projektligji është 300 mijë euro.

“Nuk është se nuk ka kosto fare por është e vogël 300 mijë euro për dy vite dhe është brenda kufijve të buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë”, shtoi ajo.