PDK: Draft-Strategjia e Sigurisë Kombëtare të rishikohet, ka mangësi serioze

Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka shprehur shqetësimin lidhur me mënyrën e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë nga Qeveria Kurti.

Kabashi-Ramaj tha se ky dokument duhet të rishikohet sepse ka shumë mangësi.

“Dokumentit i mungon vizioni dhe qartësia se ku do të shkojë në 10 vitet e ardhshme dhe si. Dokumenti tregon shenja të qarta të mungesës së memories institucionale dhe informacionit të përditësuar, gjë që nënkupton mungesën e një qasjeje gjithëpërfshirëse të qeverisë ndaj procesit të hartimit dhe rrjedhimisht një mospërfillje të Udhëzuesit për Hartimin e Dokumenteve Strategjike”, tha Kabashi-Ramaj.

Kabashi-Ramaj tha se ky dokument tregon një mungesë serioze njohurish mbi temat që mbulon, si siguria njerëzore, mungesa e të kuptuarit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare në terma moderne, përballë një aparati kompleks kërcënimesh dhe rreziqesh.

Ajo tha se duke pasur parasysh buxhetin e Kosovës, financimi i sektorit të mbrojtjes duhet të planifikohet mirë e të jetë i qëndrueshëm dhe jo siç ishte kërkesa për fonde direkte nga qytetarët.

“Qeveria Kurti, duke mos pasur program fare për sigurinë, nuk ka si të ketë përputhje me prioritete për këtë sektor.”, shtoi ajo.

Ajo ka dhënë edhe disa rekomandime në mënyrë që të “korrigjohen problematikat që ka Strategjia Kombëtare e Sigurisë”.

“PDK rekomandon që Qeveria bashkë me Zyrën për Planifikim Strategjik dhe Sekretariatin e Këshillit të Sigurisë të rishikojnë të gjithë procesin e hartimit të këtij dokumenti; të bëjë një analizë të kujdesshme të implikimeve financiare; ta hartojë përsëri këtë strategji bazuar në informacionin e përditësuar mbi kërcënimet dhe rreziqet që mund t’i vijnë Kosovës; si dhe të krijojë një plan strategjik komunikimi”, tha ajo.

Kabashi – Ramaj tha se PDK-ja e sheh si obligim t’i bëj publike vërejtjet e veta për këtë dokument strategjik dhe shpreson që ato të merren parasysh nga hartuesit e saj, në mënyrë që strategjia të jetë e kompletuar.

“Strategjia Kombëtare e Sigurisë nuk është një dokument që duhet përfunduar, e lënë në sirtar. Prandaj, një strategji pa vizion mbetet thjeshtë një dokument por jo një hartë që mund të zbatohet, duke forcuar sigurinë e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Kabashi – Ramaj shtoi se ky është dokumenti më i rëndësishëm në hapjen e rrugës drejt konsolidimit të sektorit të sigurisë ne vend, dhe mbrojtjes së vendit e qytetarëve.

“Qeveria aktuale duhet ta trajtojë me seriozitetin që e meriton. Në këtë aspekt, PDK fton qeverinë që të marr parasysh rekomandimet e dhëna. PDK gjithashtu shpreh gatishmëri t’i vë në dispozicion të gjitha kapacitetet që ka në këtë fushë, për të arritur deri te një Strategji Kombëtare e cila realisht kontribon në ngritjen e nivelit të sigurisë në vend dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë”, përfundoi Kabashi- Ramaj.