Pas suspendimit recepsionisti i Qendrës së Studentëve dyshohet se kanosi një studente në rrjetet sociale

Para një jave një recepsionist i konviktit numër 5 të Qendrës së Studentëve në Prishtinë ishte pezulluar nga puna pas denoncimit se gjatë orëve të natës ai kishte shkuar në dhomë të vajzave.

Mirëpo, këtë javë recepsionisti dyshohet se përmes rrjeteve sociale e ka kanosur njërën prej vajzave që e ka denoncuar atë. Për këtë i dyshuari është intervistuar e më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, kjo ngjarje ka ndodhur të hënën e 19 dhjetorit.

“Ankuesja femër kosovare ka deklaruar se ishte kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rasti është intervistuar i dyshuari dhe me urdhër të prokurorit kujdestar lirohet në procedurë të rregullt”- thuhet në raportin e Policisë.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishtën, i cili ka thënë se për këtë gjë nuk janë informuar zyrtarisht.

“Përmes mediave jemi informuar se ai është arrestuar për kanosje. Një prej viktimave që e ka kanosur, një studente, ajo është ankuar, një ditë u ankua se po e kanos përmes rrjeteve sociale, por zyrtarisht nuk jemi të informuar” – ka thënë Sfishta.

Sipas tij, më herët Qendra e Studentëve nuk ka pranuar ankesa të tilla në ndonjë formë zyrtare.

“Jozyrtare ka pasur fjalë por nuk ka pasur ankesa direkte, të shkruara dhe të faktuara deri tash” – tha Sfishta.

Sfishta tutje ka bërë të ditur se recepsionisti do të mbetet i suspenduar nga puna deri në momentin që organet e drejtësisë nxjerrin një verdikt.

“Komisioni veç se është duke e bërë punën e vet, janë duke i intervistuar studentet edhe palët e interesit që kanë dërguar deklarata, mirëpo në momentin që neve na konfirmohet që ka kallëzim penal dhe i është ngritur aktakuza, pushon puna e komisionit. Ky (recepsionisti) mbetet i suspenduar deri në momentin kur na kthehet një verdikt prej prokurorisë ose gjykatës” – ka vijuar ai.

Burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se njëra nga vajzat që e ka denoncuar rastin e recepsionistit ka marrë mesazhe e postime fyese e kërcënuese nga profile të rreme nëpër rrjetet sociale, e disa nga studentet e tjera kanë pranuar edhe mesazhe direkte nga i dyshuari.

Sipas burimeve, recepsionisti u ka shkruajtur direkt nga profili i tij disa prej studenteve për të kërkuar nga ato që të thonë se atë natë ai ka qenë në dhomën e disa vajzave studente për të marrë një kabllo në dhomën e tyre.