Pas sulmit të armatosur Ambasada e Kosovës në Pragë u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale

Pas sulmit të armatosur që ndodhi sot në qendër të Pragës, Ambasada e Kosovës në këtë vend u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

“Pas raportimeve për një sulm të armatosur në qendër të Pragës, përkatësisht në Fakultetin e Filozofisë, Universitetin Charles, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale” – ka thënë Ambasada.

Të njëjtët kanë bashkëngjitur edhe numrin e kontaktit +420 257 217 775 për qytetarët për çdo kërkesë apo për ndihmë konsullore nëse iu duhet.

Policia në Pragë të Republikës Çeke ka njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një universitet në qendër të qytetit, ku si pasojë disa njerëz janë vrarë dhe “dhjetëra” të tjerë janë plagosur, raporton BBC.

Policia thotë se personi i armatosur ishte “eliminuar” dhe se ndërtesa ishte duke u evakuuar.

Autoritetet thanë se i gjithë sheshi dhe disa rrugë përreth universitetit janë të mbyllura.

“Papritur dëgjova të shtëna-” ka deklaruar një dëshmitare, raporton BBC teksa shton se ishte në vendin e ngjarjes.

Një email drejtuar stafit në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit Charles, i parë nga Reuters, paralajmëroi stafin për të shtënat.

Në të shkruhej se “Qëndroni, mos shkoni askund, nëse jeni në zyra, mbyllini ato dhe vendosni mobiliet para derës, fikni dritat”.

 

Të shtëna me armë në një universitet në Pragë, raportohet për të vdekur