Reuters: Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmin në Moskë

23:14

Shteti Islamik (ISIS) ka marrë përgjegjësinë për sulmin që ndodhi në Moskë sonte, më 22.03.2024, ku mbetën të vrarë së paku 40 persona dhe 100 të plagosur.

Kështu raporton BBC, duke iu referuar një raportimi të agjencisë Reuters, ku thuhet se ISIS ka marrë përgjegjësinë për sulmin përmes një publikimi në kanalin në rrjetin social “Telegram”.

Siç raporton BBC, raportimi nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

21:45

Pas sulmit në një sallë koncertesh në Moskë që ka ndodhur sonte, më 22.03.2024, në të cilin janë vrarë rreth 40 persona e janë plagosur rreth 100 të tjerë, ka reaguar edhe presidenca e Ukrainës.

Siç njofton BBC, një ndihmës i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina nuk ka të bëjë asgjë me këtë sulm.

Tani po dëgjojmë nga një ndihmës i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili e ka distancuar vendin e tij nga sulmi pranë Moskës.

Në një postim në rrjetin “Telegram”, Mykhailo Podolyak tha: “le të jemi të qartë, Ukraina nuk ka absolutisht asnjë lidhje me këto ngjarje”.

Sa për rikujtim, Ukraina dhe Rusia janë në luftë që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia sulmoi ushtarakisht territorin ukrainas.

21:34

Shërbimi federal i sigurisë i Rusisë ka njoftuar se të gjitha masat janë marrë për t’u ofruar ndihmë atyre që janë prekur nga, siç e cilëson, sulmi terrorist në sallën e sporteve “Crocus City Hall”, në Moskë.

Siç njofton BBC, shërbimet speciale kanë ndërmarrë masa aktive kërkimi pas ngjarjeve që kanë ndodhur sonte në kryeqytetin rus.

Autoritetet ruse thonë se së paku 40 persona janë vrarë dhe rreth 100 janë plagosur në një sulm të armatosur në një sallë koncertesh, e mbushur me njerëz.

20:57

Së paku 40 njerëz kanë vdekur pasi disa persona të armatosur sulmuan një sallë koncertesh në Moskë sonte, më 22.03.2024, raporton BBC.

Si pasojë e këtij sulmi, më shumë se 100 njerëz raportohet se u plagosën.

Në internet po qarkullon një video dramatike, ku shihen pjesëmarrësit e koncertit të cilët janë në panik, ndërsa dëgjohen të shtëna dhe shpërthime.

Ndërkaq, kulmi i objektit ku ka ndodhur sulmi është përfshirë nga zjarri.

Sipas BBC-së, Policia, zjarrfikësit, forcat speciale e ambulancat janë në vendin e ngjarjes.