Pas raportimit të KALLXO.com rregullohet udhëkryqi me gropa në Fushë Kosovë

Në shtator të vitit 2022, KALLXO.com pas shqetësimeve të qytetarëve ka raportuar se në njërin nga udhëkryqet kryesore të Fushë Kosovës shkaku i gropave të thella vështirësohej qarkullimi i veturave dhe krijohej tollovi në komunikacion.

Por, menjëherë pas raportimit për këtë problem, në lagjen “Dardania”, në udhëkryqin i cili shërben për t`u kyçur në rrugën kryesore, është rregulluar kjo rrugë nga komuna.

Ali Topalli, zëdhënës i Komunës së Fushë Kosovës, e kishte pranuar në një intervistë për KALLXO.com se gjendja në rrugë është ashtu siç është paraqitur nga qytetarët.

“Jemi pjesë e atyre shqetësimeve të banorëve dhe sigurisht që gjendja në atë rrugë është ashtu siç është paraqitur nga vetë qytetarët”- kishte thënë Topalli.

Topalli ka thënë se një kohë të gjatë kanë pasur vështirësi me Organin Shqyrtues të Prokurimit, ndërkaq, shtoi se janë në proces të tenderimit.

“Po shpresojmë që gjatë muajit tetor ky problem dhe probleme tjera të kësaj fushe të kësaj natyre në qytetin e Fushë Kosovës por edhe në fshatra do të rregullohen”- tha Topalli.

Ekipi i KALLXO.com, ka dalë në terren për ta verifikuar se a është rregulluar rruga siç është deklaruar dhe ka parë se gropat në këtë udhëkryq janë mbuluar me asfalt të ri.

VIDEO – Ballafaqimi i qytetarëve në udhëkryqin me gropa në Fushë-Kosovë