Gropat në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, Foto: KALLXO.com
VIDEO - Ballafaqimi i qytetarëve në udhëkryqin me gropa në Fushë-Kosovë
Në njërin prej udhëkryqeve kryesore të Fushë-Kosovës kanë dalë në pah gropa të thella, të cilat janë duke e vështirësuar qarkullimin e veturave dhe po krijojnë tollovi në komunikacion.
Në lagjen “Dardania”, në udhëkryqin i cili shërben për tu kyçur në rrugën kryesore, shkaktohet tollovi e madhe e veturave në ditët e zakonshme e sidomos kur ka reshje shiu.
Gropat e mëdha në rrugë, po u shkaktojnë vështirësi qytetarëve edhe kur janë duke vozitur, por edhe si këmbësorë.
Në KALLXO.com kanë raportuar disa qytetarë këtë shqetësim.
Emin Sylejmani që jeton në Fushë-Kosovë që nga viti 1986, tha se kjo rrugë po shkakton tollovi për shkak se veturat ngadalësohen për të kaluar nëpër gropa.
“Megjithëse kjo rrugë është paslufte e rregulluar megjithatë ka prishje sidomos në këtë udhëkryq. Është rrezik se edhe automjetet shkaktojnë tollovi për shkak të ngadalësimit dhe prishje. Edhe për udhëtarët është e rrezikshme. Po i shihni këto gropa rregullisht kur bien shi krijohet një parregullsi në komunikacion”- tha ai.
Sylejmani tha se edhe pse kjo rrugë kohë pas kohe rregullohet, ai dyshon se materiali mund të jetë i dobët.
“Intervenohet, por megjithatë materiali është ose i dobët ose infrastruktura rrugore duhet të përmirësohet me ndonjë material më të mirë të asfaltit”- tha ai duke shtuar se sado që bëhen meremetime, rruga gjithëherë është kësisoj.
Edhe Xhavit Rrustemi, një banor tjetër i kësaj lagje tha për KALLXO.com se kjo rrugë po u shkakton prishje veturave, ndërsa për këmbësoret sipas tij kur ka shi duhet të kenë kujdes nga spërkatja e veturave.
“Ka pengesa për kerre, ju prishen amortizerët, federat, llagera munden me ju prish nëpër këto gorpa e këto janë shumë kohë të gjatë. Nuk është vetëm këtu po ka shumë vende. Është e drejtë me u përmirësuar kjo rrugë në përgjithësi se nuk është i vetmi vend ka edhe shumë vende qashtu”- ka thënë Rrustemi.
Rrustemi pretendon se kjo rrugë është rreth 3 vite në këtë. “Po ndërhyjnë vetëm sipërfaqësisht por sërish prishet”- tha ai.
Rrustemi tha se është shumë e nevojshme që rruga të riparohet.
“Kjo është shumë e nevojshme sidomos kjo rruga ‘Dardania’ dhe disa rrugë tjera që janë kryesore ka qarkullim shumë edhe të njerëzve edhe të makinave është shumë e nevojshme me i riparu”- tha ai.
Edhe një banor tjetër, Besnik Shabani i cili nuk ka dashur të prononcohet para kamerës, tha se janë rreth 3 ose 4 vjet që kjo rrugë është e prishur dhe se komunës nuk po i intereson për qytetarin.
“Nuk ju përmbahen rregulloreve të peshave se ka ndërtim shumë këtu, cilësia, etj. Vështirësi shkakton në shumë aspekte në qarkullim, në vonesa, neve na kushton kjo. Ne paguajmë taksën rrugore e ku po shkon ajo”, u shpreh Shabani duke ironizuar se komuna janë në pushim vjetor.
Përveç shqetësimeve të banorëve, të njëjtin shqetësim thonë se e ndajnë edhe nga Komuna e Fushë-Kosovës për këto gropa.
Ali Topalli, zëdhënës i Komunës së Fushë Kosovës, e pranoi që gjendja është ashtu siç është paraqitur nga qytetarët.
“Jemi pjesë e atyre shqetësimeve të banorëve dhe sigurisht që gjendja në atë rrugë është asahtu sic është paraqitë nga vetë qytetarët”- tha Topalli.
Topalli tha se një kohë të gjatë kanë pasur vështirësi me Organin Shqyrtues të Prokurimit, andaj edhe ka ardhur deri te kjo vonesë. Topalli tha se janë në proces të tenderimit.
“Po shpresojmë që gjatë muajit tetor ky problem dhe probleme tjera të kësaj fushe të kësaj natyre në qytetin e Fushë Kosovës por edhe në fshatra do të rregullohen”- tha Topalli.
Topalli ka numëruar disa arsye se pse po prishen rrugët.
“Ajo prishet sepse është vetë pozicioni i tokës më i ulët dhe gjatë reshjeve uji qëndron në atë pjesë më gjatë dhe vjen deri të krijimi i gropave. Ndodh që bëhen ato gropa kemi edhe arsye tjera që në atë rrugë po edhe në tjera, frekuentojnë një numër i madh i kamionëve’- u shpreh ai.
Topalli tha se ka kanë ankesa të qytetarëve të cilët përballen me këto vështirësi mirëpo sipas tij do të mundohen të jenë më afër tyre.