Ilustrim

Pamjet ku polici kërcënon se do ja vras djalin qytetarit, IPK fillon hetimet

KALLXO.com raportoi për një incident në Pejë, gjatë të cilit një zyrtar policor i Kosovës e kërcënon një qytetar se do t’ia vrasë djalin.

KALLXO.com ka kontaktuar me Inspektoratin Policor të Kosovës në lidhje me kërcënimet e zyrtarit policor ndaj qytetarit në Pejë, dhe të njëjtit kanë konfirmuar se ndaj të njëjtit kanë filluar hetimet.

“Lidhur me rastin që është raportuar të ketë ndodhur në rajonin e Pejës e që është publikuar edhe në media, ju njoftojmë se IPK pasi që është njoftuar për këtë video-incizim kanë kontaktuar me autoritetet policore në Pejë duke kërkuar edhe informacione shtesë për këtë rast”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Tutje, IPK ka bërë të ditur për KALLXO.com se në lidhje me këtë rast kanë pranuar edhe ankesën e qytetarit në fjalë.

“IPK sot ka pranuar edhe kopjen e ankesës së qytetarit dhe kanë filluar menjëherë me hetime preliminare lidhur me rastin dhe veprimet e zyrtarit policor”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

KALLXO.com ka siguruar një video-incizim, në të cilin shihet një zyrtar i Policisë, duke e kërcënuar një qytetar.

Në pamjet e mëposhtme shihet dhe dëgjohet zyrtari i Policisë duke e kërcënuar qytetarin se nëse nuk e sjell djalin brenda 10 minutave do t’ia tërheqë zvarrë.

“Ngom çka po te them, që s’e bjen qitu për 10 minuta, zhag ta ngrehi, a e ki të qartë?”, dëgjohet polici duke i thënë qytetarit.

Mandej, polici e kërcënon qytetarin edhe me vrasje të djalit.

“Shko bjere qetash fill, je kah vonohesh… Shko bima. Ngom. Kam me ta ngreh zhag që s’vjen për 5 minuta… Vallahi edhe e vras”, dëgjohet duke i thënë polici qytetarit.

Ndërkohë, qytetari shihet të rrethohet edhe nga policë të tjerë.

KALLXO.com merr vesh se incidenti ka ndodhur pasi që djali i qytetarit u ka ikur policëve.

Pamje nga Peja polici e kërcënon qytetarin se do ja vras djalin