Pas hulumtimit të KALLXO.com, bordi rekomandon anulimin e gjitha avancimeve në Postë

Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës ka kërkuar nga menaxhmeti i ndërmarrjes të shfuqizojë të gjitha avancimet që kanë ndodhur brenda kësaj ndërmarrjeje në 8 muajt e fundit.

Ky rekomandim i bordit të përkohshëm të Postës vjen pas hulumtimit të KALLXO.com në lidhje me avancimet e fundit që kanë ndodhur në Postën e Kosovës.

Rekomandimin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe kryesuesja e bordit, Safije Beseni.

“I është rekomanduar menaxhmetit që të rishikojë sistematizimin e vendeve të punës në pozitat që kanë implikime buxhetore. Arsyeja është bërë për shkak të gjendjes financiare të Postës”, tha kryesuesja e bordit.

KALLXO.com e ka siguruar shkresën e bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës.

“Rekomandohet menaxhmenti ekzekutiv, u.d. kryeshefi ekzekutiv, që të kthej në pikën zero të gjitha risistemimet që kanë ndodhur në tetë (8) muajt e fundit”, thuhet në shkresën e bordit të përkohshëm të Postës.

Beseni për KALLXO.com ka thënë se është kërkuar nga menaxhmenti që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës (nr.02/39 të datës 3 qershor 2020), i cili thotë që “të gjithë ndërmarrjet publike qendrore duhet të ushtrojnë kujdes që shpenzimet operative dhe punësimet e reja të mos cenojnë likuiditetit e ndërmarrjes”.

Bordi Drejtues i Postës së Kosovës përbëhet nga  Zafije Beseni, kryesuese ndërsa anëtarë do të jenë: Sebahate Krasniqi, Genc Rama dhe Naim Haliti.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditëve të fundit për disa anvancime e kontrata të reja që janë nënshkruar nga kryeshefi i Postës së Kosovës, Rafet Jashari.

KALLXO.com fillimisht ka raportuar për angazhimin e dy këshilltarëve nga e u.d. kryeshefi Rafet Jashari. Përveç kësaj, KALLXO.com ka raportuar edhe për avancimin e pesë personave përmes procedurave të konkursit të brendshëm.

Në mesin e të avancuarve ishte edhe Shkumbin Krasniqi, vëllai i asamblistit të LVV-së, Alban Krasniqit në Malishevë si dhe kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.

Shkumbin Krasniqi ishte avancuar nga postieri me gradën 3 në pozitën zyrtar për kujdes ndaj konsumatorëve, që ka gradën 7.

E pyetur nga KALLXO.com kryesuesja e bordit të përkohshëm të Postës, Safija Beseni, më 23 qershor kishte thënë se bordi nuk ka pas informata për këto avancime.

Mbledhja e bordit në të cilën është kërkuar kthimi në pikë zero i gjitha risistemimeve që kanë impaktë financiare, pra gradime, është mbajtur me datën 25 qershor 2021.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga menaxhmenti i Postës për numrin e avancimeve që do të preken nga rekomandimi i bordit të përkohshëm të Postës, por deri në publikim të artikullit nuk kemi pranu përgjigje.

Vëllai i asamblistit të Vetëvendosjes avancohet në Postë