Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës - ShSKUK
Jep dorëheqje zëvendësuesja e udhëheqësit të Auditimit në SHSKUK
Zëvendësuesja e udhëheqësit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar, Mirfane Dërmaku ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Ajo është shprehur se arsyet e dorëheqjes janë personale.
Dërmaku ishte emëruar në këtë pozitë, pasi që udhëheqësi i kësaj njësie, Musa Vitija kishte shkuar në pushim pa pagesë nga janari i këtij viti. Pas 7 muajsh pushim pa pagesë, më 4 gusht, Vitija dha dorëheqje nga kjo pozitë, me arsyen se nuk ndihej i sigurt, pas djegieve të dy veturave të tij, në oborrin e QKUK-së.
Bordi i SHSKUK-së, sot aprovoi dorëheqjen e Dërmakut, të cilën ajo e kishte kërkuar që nga 21 qershori.
Në vend të saj, u emërua Besnik Zejnullahu, i cili deri më tani kishte pozitën e auditorit në të njëjtën njësi.
Zejnullahu do të mbajë këtë pozitë deri në zgjedhjen e një udhëheqësi përmes konkursit, të cilin Bordi kërkoi që të hapej.
Në letrën e dorëheqjes së tij, Musa Vitija pati shkruar se pas rrezikimit të jetës së tij, ky institucion nuk ka bërë pothuajse asgjë për mbrojtjen dhe sigurimin e hapësirave të vendit të punës.
Pas djegies së veturës së dytë, SHSKUK kishte deklaruar se rasti ka ndodhur derisa po mbahej mbledhja e Bordit drejtues të SHSKUK-së ku edhe ishte duke raportuar Vitija.
Tri ditë pas kësaj ngjarjeje, kryeministri Albin Kurti kishte vizituar SHSKUK-në dhe kishte thënë se Vitija ka gjetur shkelje të shumta të dokumentuara gjatë punës së tij.
“Njëherë më 19 gusht dhe pastaj sërish më 7 tetor iu dogj vetura drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të SHSKUK-së, Musa Vitija. Pas një pune intensive të tij janë gjetur shkelje të shumta të dokumentuara në raport përkatës” – kishte thënë Kurti.
Ai pati thënë se këtë vizitë e ka bërë për të shprehur mbështetjen e tij të parezervë.
Pas dorëheqjes së Vitijës, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u pyet KALLXO.com se a ka dështuar shteti që t’i ofrojë siguri atij.
Vitia tha se ata kanë qenë të gatshëm që t’i ofrojnë të gjithë sigurinë e nevojshme.