Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Pas fjalimit të presidentes Osmani në Kuvend, KFOR shpreh përkushtimin për ruajtjen e sigurisë në Kosovë

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka shprehur përkushtimin e tij për sigurinë në Kosovë.

Ky njoftim nga KFOR vjen pas fjalimit vjetor të presidentes Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës, sipas të cilës, në këtë kohë është sfiduar siguria në të gjithë rajonin.

Gjatë këtij fjalimi, presidentja Osmani përmendi sulmin terrorist të datës 24 shtator në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Sipas njoftimit, KFOR thotë se janë në koordinim të ngushtë me homologët dhe se janë duke e vlerësuar vazhdimisht situatën e sigurisë në Kosovë.

‘’KFOR është i gatshëm dhe plotësisht i përkushtuar për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë – në përputhje me Rezolutën 1244 të vitit 1999, të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara – dhe lirinë e lëvizjes’’ – thuhet në njoftimin e KFOR-it.