Ilustrim: Kartela bankare - Foto: REL/TASS

Pas disa rasteve të mashtrimeve, Policia e Gjilanit u bën thirrje qytetarëve të mos ekspozojnë të dhënat personale e bankare

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve dhe subjekteve afariste që të bëjnë kujdes sa i përket ekspozimit të të dhënave të tyre personale e bankare në mjediset e jetës së përditshme.

Po ashtu kujdes të shtuar është kërkuar nga qytetarët që të kenë edhe kur marrin kërkesa të ndryshme gjatë periudhës që ndodhen duke kërkuar në internet.

“Mos bini pre e mashtrimeve të ndryshme të cilët kanë qëllim vjedhjen apo manipulimin e fondeve tuaja nga llogari bankare dhe formave të tjera” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje është thënë se ka një rritje të numrit të mashtrimeve të kryera nëpërmjet internetit, ku sipas njoftimit të DRP-së në Gjilan gjatë kohëve të fundi janë raportuar së paku tri raste të mashtrimit të kësaj natyre, me ç’rast qytetarët janë mashtruar me shuma të konsiderueshme të parave.

“Informohen qytetarët dhe subjektet private se nga Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, po merren të gjitha masat për parandalimin e rasteve të ngjashme por edhe evidentimin dhe kapjen e autorëve për rastet e ndodhura” – thuhet tutje në njoftimin e Policisë.

Policia ka njoftuar se në rast se merren kërkesa për kryerjen e pagesave në llogari bankare të ndryshme, fillimisht qytetarët duhet të verifikojnë paraprakisht me mjete të tjera komunikimi nëse llogaria i përket vërtetë personit tek i cili dëshironi të bëhet destinimi.

“Duhet të bëni kujdes edhe gjatë dhënies së kodeve të hyrjes për llogaritë e juaja të rrjeteve sociale, postës elektronike si dhe çdo program tjetër i cili mundëson hyrjen nëpërmjet kodeve të sigurisë” – vazhdon tutje apeli i Policisë së Gjilanit.

Policia shtoi se duke shpresuar se do të gjejnë mbështetje të plotë nga ana e qytetarëve, mediave por edhe subjekteve private, sugjeron të mos neglizhohet asnjë rast i dyshuar apo evidentuar, dhe t’i drejtohen menjëherë Policisë.