Saeima, siç njihet parlamenti leton, ka votuar për tërheqja nga Konventa e Stambollit. Foto: Seaima
Parlamenti i Letonisë voton për tërheqje nga traktati për mbrojtjen e grave nga dhuna
Deputetët e Letonisë, pas një debati të gjatë dhe të tensionuar, kanë votuar për tërheqje nga një marrëveshje ndërkombëtare që synon mbrojtjen e grave nga dhuna, përfshirë dhunën në familje, ka raportuar të premten (31.10.2025) media britanike BBC.
Disa qytetarë protestuan gjatë javës kundër votimit në Riga. Tani i mbetet presidentit Edgars Rinkevics të vendosë nëse do ta miratojë apo jo ligjin.
Njohur si Konventa e Stambollit, traktati i vitit 2011 hyri në fuqi në Letoni vetëm vjet, duke kërkuar që qeveritë të hartojnë ligje dhe të ofrojnë shërbime mbështetëse për t’i dhënë fund gjithë dhunës.
Letonia është vendi i parë i BE-së që nis tërheqjen nga traktati. Turqia u tërhoq në vitin 2021, një veprim i përshkruar si pengesë e madhe nga organi më i lartë i të drejtave të njeriut, Këshilli i Europës.
Traktati u ratifikua nga BE-ja në vitin 2023, megjithatë grupet ultra-konservatore kanë argumentuar se fokusi i marrëveshjes në barazinë gjinore minon vlerat familjare dhe promovon “ideologjinë gjinore”.
Pas një debati 13-orësh në Saeima, deputetët letonë votuan me 56 vota për dhe 32 kundër për tërheqje nga traktati, në një hap të sponsorizuar nga partitë e opozitës, por të mbështetur nga politikanë nga njëra prej tri partive të koalicionit, Unioni i të Gjelbërve dhe Fermerëve.
Rezultati është pengesë për kryeministren e qendrës së djathtë, Evika Silina, e cila iu bashkua protestuesve jashtë parlamentit në fillim të kësaj jave. “Ne nuk do të dorëzohemi, ne do të luftojmë që dhuna të mos fitojë”, u tha ajo atyre.
Një nga grupet kryesore politike pas tërheqjes është “Së Pari Letonia”, udhëheqësi i së cilës Ainars Slesers u ka bërë thirrje letonëve të zgjedhin ndërmjet një “familjeje natyrale” dhe një “ideologjie gjinore me gjini të shumëfishta”.
Avokatja e popullit e Letonisë, Karina Palkova, ka bërë thirrje që traktati të mos politizohet, dhe grupi “Barazi Tani” ka theksuar se “nuk ishte kërcënim për vlerat letone, por ishte një mjet për t’i realizuar ato”.
Vota e së enjtes ka shkaktuar protestë si brenda Letonisë ashtu edhe më gjerë.
22 mijë njerëz kanë nënshkruar një peticion leton që të mos heqë dorë nga traktati. Grupi i të drejtave të grave, “Centrs Marta”, ka thirrur një protestë të enjten e ardhshme, duke akuzuar deputetët se nuk po e dëgjojnë popullin leton.
Kreu i asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos, ka theksuar se Letonia ka marrë vendim të nxituar, të nxitur nga dezinformimi. Ky është, ka thënë ai, “hap prapa i paprecedentë dhe thellësisht shqetësues për të drejtat e grave dhe të drejtat e njeriut në Europë”.
Qëkur Turqia u tërhoq nga traktati katër vjet më parë, vrasjet e grave dhe dhuna ndaj grave janë rritur ndjeshëm, ka shtuar ai.
Meqenëse votimi nuk mori shumicën prej dy të tretash, kjo do të thotë që presidenti mund ta kthejë projektligjin për lexim tjetër, nëse ka kundërshtime.
Presidenti Rinkevics ka shkruar në X se do ta vlerësojë vendimin bazuar në kushtetutë, “duke marrë parasysh konsideratat shtetërore dhe ligjore, në vend të konsideratave ideologjike ose politike”.
Javën e kaluar një tjetër anëtar i koalicionit qeverisës, Progresistët, ka theksuar se nuk do ta përjashtojë mundësinë e apelimit në Gjykatën Kushtetuese.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com