Konjufca: Lajçaku na e ka qitë në shpinë pandershëm Asociacionin për anëtarësim në KiE

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe asnjëherë nuk ka qenë parakusht brenda kornizës së Këshillit të Europës (KiE) për anëtarësimin e Kosovës, por se këtë sipas tij e ka bërë ish-emisari i BE-së Mirosllav Lajçak.

“Neve na ka mbetur peng një gjë e vendosur nga një person i cili në mënyrë goxha të palavdishme dha dorëheqje, zoti Lajçak. Ai na ka pasë qitë në shpinë një diçka që nuk na takon” – tha Konjufca në konferencë për media pas takimit me homologun belg, Maxime Prévot.

Konjufca tha se brenda kornizës së KiE-së, Asociacioni nuk është kriter i anëtarësimit, mund të jetë në procese të tjera, por në KiE-së nuk ka qenë për shkak se, siç tha, e di një gjë të tillë pasi që kishte shkuar përmes Kuvendit sa ka qenë kryetar.

“Këtë na ka vendosur në shpinë Lajçaku në mënyrë jomeritore, për mos me thanë të pandershme. Po edhe këtë term bën me e përdor në rastin e tij. Duhet me na ndihmu miqtë tanë me na e heq këtë. Na duhet që t’i bindim edhe të tjerët që ta kenë një pozicion si Belgjika që thonë tash dhe këtu duhet të anëtarësohet Kosova” – shtoi ai.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës me dorëzimin e aplikacionit nga ish-zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.

Qeveria e Kosovës në shkurt të vitit 2024 kishte marrë vendim që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, që ishte kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Pas këtij vendimi, vendi mori dy herë dritën e gjelbër, e në të tretën u “kurthua”. Ishte kërkesa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ajo që e la Kosovën jashtë agjendës. Disa shtete anëtare kërkuan dorëzimin e projekt-statutit për themelimin e Asociacionit si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim.

Mosdërgimi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të hartuar nga Bashkimi Europian, ishte arsyeja që la Kosovën jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17.05.2024.

Zyrtarët e lartë shtetërorë të Kosovës vazhdojnë të deklarojnë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.

Më 16.05.2024, Gërvalla kishte dërguar një letër në adresë të presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për, siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti për “krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim”. Ky veprim ngriti pikëpyetje nëse ka qenë i duhur, apo i gabuar.