Parlamenti Evropian, Strasburg/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Parlamenti i BE-së miratoi Rezolutën për Kosovën, Serbisë i kërkohet të bashkëpunojë për hetimin e rastit

Parlamenti Europian përmes një seance miratoi Rezolutën që dënon sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Sulmi la të vdekur policin Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy oficerëve të tjerë.

Rezoluta përfshin 28 pika me kontribut nga grupe politike të ndryshme brenda Parlamentit Europian.

Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës.

Parlamenti Europian i ka kërkuar të gjithë shteteve anëtare të bashkohen në dënimin e sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ka theksuar angazhimin e tyre për të ndjekur hetimet e kryera nga autoritetet kosovare si dhe ka bërë thirrje për mbështetjen e Bashkimit Evropian në këto hetime. Gjithashtu, Rezoluta bën thirrje që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në proces.

Rezoluta gjithashtu përmend mundësinë e ekstradimit të terroristëve të sulmit në Kosovë.

“Parlamenti i BE-së bën thirrje për autoritetet kosovare të zbardhin të gjitha provat lidhur me ngjarjen; bën thirrje për institucionet ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë EULEX-in, që të vlerësojnë provat; kërkon që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetime dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin, të cilët aktualisht qëndrojnë në Serbi, në përputhje me ligjin, duke përfshirë edhe ekstradimin e tyre në Kosovë”, thekson Rezoluta.

Parlamenti i BE-së bën të ditur se ka vënë re faktin se Serbia ka shpallur një ditë zie kombëtare dhe se tre terroristët e vdekur janë portretizuar si heronj që luftuan për çështjen e serbëve, gjë që ka rritur tensionet politike në rajon.

Ata gjithashtu bëjnë thirrje për zbardhje të plotë të rolit të mundshëm të Rusisë në sulmin që ndodhi në Banjskë.

Parlamenti i BE-së i bëri thirrje Serbisë që të shmangë çdo eskalim të mëtejshëm që po e dëmton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të parandalojë trafikimin e armëve në kufi.

“BE bën thirrje, në këtë kontekst, që autoritetet kosovare të punojnë drejt tregtisë së hapur për të gjitha mallrat dhe shërbimet civile”, thuhet tutje në tekstin e Rezolutës.

Gjithashtu, Parlamenti i BE-së i bën thirrje Komisionit dhe Këshillit të marrin masa kundër Qeverisë së Serbisë nëse hetimet tregojnë përfshirjen serbe në sulmin terrorist në Banjskë ose në ngjarjet e dhunshme në veri të Kosovës në maj të vitit 2023.

“Parlamenti i BE-së bën thirrje që Komisioni të ngrijë financimin e ofruar Serbisë nëpërmjet Instrumentit për Ndihmën para antaresimit III, nëse gjetjet e hetimit tregojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këto sulme; bën thirrje për Këshillin që të ndërmarrë masa të orientuara, pa u kufizuar në bllokimin e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve, kundër aktorëve që shkaktojnë destabilizim në veri të Kosovës dhe udhëheqësve të rrjeteve të mëdha të krimit të organizuar; bën thirrje për Këshillin që, në këtë kontekst, të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe të vendosë masa të orientuara ndaj Milan Radoiçiq”, theksohet në tekst.

Rezoluta vë në dukje shqetësimet në lidhje me sjelljen agresive ushtarake të Serbisë, mesazhin politik të radikalizuar dhe treguesit e përfshirjes së shtetit serb në dhunën politike të fundit në veri të Kosovës.

Gjithashtu, Parlamenti i BE-së bën thirrje që shtetet anëtare të dërgojnë në mënyrë të menjëhershme trupa shtesë në Kosovë dhe të rrisin njësitë EULEX në terren, nëse është e nevojshme, për të forcuar rolin e tyre si përgjigjës të sigurisë në veri të Kosovës.

Rezoluta bën gjithashtu thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndër-kufitar më të madh mes Serbisë dhe Kosovës, me një fokus në luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërsa, shprehin shqetësimet në lidhje me provat që lidhin grupet kriminale me shtetin e Serbisë.

Parlamenti i BE-së po ashtu e dënoi vendimin e gjykatës së Beogradit për mosarrestimin e Milan Radoiçiq, i cili ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit më 24 shtator, dhe shpreh shqetësim të thellë që të gjithë përgjegjësit për sulmin në Banjskë mund të mos sillen para drejtësisë.

Rezoluta gjithashtu kritikon mënyrën se si autoritetet serbe trajtuan rastin e sulmit të 24 shtatorit, përfshirë rolin e tyre në përhapjen e informacionit në lidhje me sulmin, mbështetjen e autorëve dhe qëndrimin liberal ndaj organizatorëve dhe autorëve të sulmit.

Parlamenti Europian bën thirrje për hetim të plotë të sulmeve etnike në Kosovë, përfshirë sulmet në urën e Bistricës dhe në Shtërpcë në mbrëmjen e Krishtlindjeve ortodokse në janar të vitit 2023.

Rezoluta e Parlamentit të BE-së bën thirrje për një qasje të orientuar drejt qytetarëve në dialogun midis palëve. Po ashtu vë në dukje se sulmi i 24 shtatorit nuk duhet të shërbejë si shkak për të kthyer vëmendjen larg dialogut për normalizim dhe bën thirrje që Serbia të rikthejë kredibilitetin në këtë proces.

“Parlamenti bën thirrje për BE-në që të përforcohet dhe të propozojë një qasje të re, inovative dhe të balancuar në ndërmjetësimin midis palëve në mënyrë që të tejkalohen pikepamjet e tanishme, duke pasur parasysh pasojat e sulmit të 24 shtatorit dhe faktin që besimi në proces duhet të rikthehet”.

Në dokument përmendet edhe frikësimi i politikanëve serb të opozitës si dhe shprehet keqardhje për këmbënguljen e Qeverisë së Kosovës që të mbajë qytetarët e komunitetit shqiptar si kryetarë në komunat veriore, pavarësisht pjesëmarrjes shumë të ulët në zgjedhje.

Rezoluta thekson gjithashtu se Serbia duhet të angazhohet publikisht për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet në katër komuna të veriut të Kosovës, pasi Lista Serbe ka njoftuar tashmë pjesëmarrjen e saj pa kushte.

Rezoluta thekson se ndjen keqardhje për masat negative që Këshilli ka marrë kundër Kosovës dhe bën thirrje që ato të hiqen sa më shpejtë.

“Parlamenti bën thirrje për Komisionin që të përgatisë dhe paraqesë një rrugëtim të qartë dhe ambicioz për integrimin e Kosovës deri në fund të vitit”.

Në lidhje me procesin e dialogut midis dy vendeve, Parlamenti i BE-së ka bërë thirrje që Komisioni të veprojë si ndërmjetës i sinqertë në procesin e normalizimit dhe të shmangë politika të buta ndaj Serbisë.

Parlamenti i BE-së bëri thirrje gjithashtu që autoritetet dhe mediat serbe të shmangin gjuhën e urrejtjes ndaj kosovarëve dhe shpërndarjen e gënjeshtrave në lidhje me ‘pastrimin etnik’ dhe ‘pogromet’ në Kosovë, për të cilat nuk ka prova.

Rezoluta rikujton se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të jetë e lidhur me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi më së largu më 1 janar 2024.