Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, Foto: Kuvendi i Kosovës-Facebook

Paratë e parapara për aktivitete humanitare, Kuvendi i çoi në festivale

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Kuvendi i Kosovës ka ndarë subvencione për dy organizata joqeveritare, të cilat nuk kanë qenë të profilizuara për të marrë subvencione nga Kuvendi.

Sipas Auditorit, rregullorja e Kuvendit të Kosovës parasheh që subvencionet të shpërndahen vetëm për interes humanitar.

“Kuvendi kishte ndarë subvencione ndaj dy organizatave joqeveritare, fushëveprimi i të cilave nuk kishte të bëj me aktivitete humanitare. Aktivitetet me të cilat merreshin këto OJQ, kishin të bëjnë me organizimin e festivalit të filmit si dhe organizimin e festivalit tradicional të komunitetit boshnjak”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit, kishte qenë Kryesia e Kuvendit ajo që kishte vlerësuar arsyeshmërinë e ndarjes së mjeteve.

“Kjo kishte ndodhur, pasi kryesia e Kuvendit kishte vlerësuar të arsyeshme ndarjen e mjeteve ndaj këtyre dy OJQ-ve”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, ndarja e mjeteve për aktivitete jashtë rregullores ndikon në shpenzimin e mjeteve në mospërputhje me qëllimin për të cilin janë aprovuar ato.

Përveç kësaj, Auditori ka gjetur se një OJQ, e cila kishte përfituar 5 mijë euro nga Kuvendi i Kosovës, nuk e kishte dorëzuar fare raportin mbi shpenzimin e mjeteve, ndonëse kishte kaluar më shumë se një vit prej që ishin përfituar mjetet.

“Në mungesë të raporteve kthyese nga përfituesit e subvencioneve, nuk është e mundur të konfirmohet nëse përfituesi ka shpenzuar fondet sipas qëllimit për të cilin është dhënë subvencioni”, thuhet në raport.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë.