Paraburgosen, ish drejtori i Shëndetësisë në Novobërdë dhe pronari i një kompanie

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur përmes një njoftimi se në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, të dyshuarin T.S.,  ish-  drejtor i Shëndetësisë në Novobërdë dhe të dyshuarin tjetër A.R., pronar i kompanisë ‘’AWA Sh.p.k’’, në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, ekziston dyshimi se kompania e lartëcekur, ka përfituar fatura fiktive në emër të furnizimit me barna dhe pajisje medicinale nga Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare e Komunës së Novobërdës

“I dyshuari T.S., me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ndërsa, i dyshuari A.R., dyshohet për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumenteve’”, thuhet në njoftim.

Prokuroria njofton se ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.