Gjykimi i ish-sekretarit të KPK-së - Prokurori: E pashembullt të kontestohet mandati i prokurorit të shtetit

Kërkesa e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit, ish-sekretarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës – KPK, për hedhjen e aktakuzës është refuzuar nga Gjykata e Prishtinës. Krasniqi po akuzohet nga Prokuroria për korrupsion.

Në seancën e kaluar, mbrojtja kishte kërkuar nga gjykata që të precizohet saktë periudha kohore për avancimin- transferimin e Zejnullah Gashit, prokurorit të kësaj çështje nga Departamenti i Përgjithshëm në Prizren në Departamentin për Krime të Rënda në Prishtinë.

Gjykimi i ish-sekretarit të KPK-së, aprovohet kërkesa e mbrojtjes lidhur me vendimin e avancimit të prokurorit aktual

Me këtë kërkesë, mbrojtja ka paraqitur pretendimet e tyre duke kontestuar mandatin dhe kompetencat ligjore të prokurorit për përfaqësimin e këtij akti akuzues.

Zejnullah Gashi, prokuror i çështjes, këtë propozim e konsideroi si cenim të drejtpërdrejtë të kredibilitetit të Prokurorit të Shtetit.

“Është e paprecedent për gjykatat e vendit tonë, që nga muaji i dhjetë të kontestohet mandati i Prokurorit të Shtetit, kjo është cenim i drejtpërdrejt i kredibilitetit të Prokurorit të Shtetit në rastin konkret, është jo korrekte që nga muaji i dhjetë të zvarritet procedura vetëm për shkak të kontestimit të mandatit ligjor të Prokurorit”- u shpreh prokurori në seancë.

Përveç, ish-sekretarit të KPK, Lavdim Krasniqi, në këtë rast të akuzuar janë edhe shoferi i tij, Ardian Krasniqi, zyrtarja e lartë ekzekutive e KPK-së, Marigona Berisha dhe zyrtarja Flora Doda.

Gjykimi vazhdoi me të pandehurit duke dhënë mbrojtjen e tyre, ku të gjithë shfrytëzuan të drejtën të mbrohen në heshtje, përveç të pandehurës Marigona Berisha e cila u deklarua pjesërisht.

Berisha u përgjigj vetëm pyetjeve të avokatit mbrojtës të saj, duke mohuar pjesën e akuzës për pranimin e veturës “T-roc” si dhuratë, meqë sipas të njëjtës për atë veturë është duke paguar kredi që 2 vite e do të vazhdojë të paguaj edhe për 5 të tjera.

“Sigurisht që kjo është aluduar nga prokurori fillimisht, ku edhe më është bërë pyetje në fillim, ku edhe atëherë edhe sot qëndroj se vetura është blerë nga unë e për të cilën unë vazhdojë të paguaj kredi edhe për 5 vjet të tjera, kështu që është absurde të quhet dhuratë”- tha e akuzuara Marigona Berisha.

Ky gjykim po i afrohet fundit, si datë për dhënien e fjalëve përfundimtare të palëve u caktua 6 shkurti.

Ish-drejtori i sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, akuzohet se bashkë me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga Bashkim Mulolli, duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.

Me këto veprime, sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Po ashtu, të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A. M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më ç’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.

Ndërsa shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për Bashkim Mulollin me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.

Sipas Prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të Bashkim Mulollit me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8 mijë e 400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.

Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i Bashkim Mulollit në atë dokument nuk ishte i tij.

Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur në gusht të vitit 2021.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni në LINK