Pakoja emergjente - Ministri i Financave fton në takim ish-ministrat

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, nga ora 10:00 pret në takim të gjithë ish-ministrat e Financave dhe Guvernatorin e BQK-së, për t’u konsultuar rreth pakos për rimëkëmbjen ekonomike pas Covid-19.

Bislimi i ka thirrur në një takim ish ministrat e financave të Bedri Hamza, Avdulla Hotin, Besim Beqaj, Haki Shatri, Ahmet Shala, Ali Sadriu si dhe Guvernatorin e Bankës Qendrore, Fehmi Mehmetin.

Këtë takim e ka thirrur për t’u konsultuar rreth pakos emergjente.

“Në këtë kontekst e shoh të rëndësishme që të ulemi bashkë, dhe si bartës të pozicionit të njëjtë publik, por në periudha të ndryshme kohore, të diskutojmë për fokusin primar të pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë, kornizën monetare, organigramën implementuese dhe burimet e mundshme të financimit. E shoh si tejet të rëndësishme që në këtë fazë të dëshmojmë gatishmëri maksimale për bashkëpunim duke lënë anash cilindo mospajtim eventual politik a personal”, thuhet në këtë letër.