Ilustrim

Komentet/propozimet e Ministrisë së Financave dërguar ZRrE-së për strukturat tarifore të energjisë

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati në një konferencë për media tha se kanë dorëzuar komentet dhe propozimet mbi raportet konsultative të ZRrE-së për të hyrat maksimale të lejuara dhe për strukturën tarifore.

ZRrE ka propozuar që për t`u mbuluar i gjithë konsumi për tërë vitin nevojiten 446 milionë euro, ndërsa me tarifat aktuale mund të grumbullohen 314 milionë euro, si rrjedhojë , sipas ZRrE-së, hendeku që është dashur të mbulohet nga qeveria është 132 milionë euro e që bashkë me subvencionim me mbi 70 milionë euro nga qeveria është dashur të vendoset edhe bllok tarifa në nivelin 600 kwh.

Sipas Muratit, propozimi i ministrisë është që të zvogëlohet hendeku nga 132 milionë euro në 110 milionë, duke përfshirë zvogëlimin e konsumit dhe korrigjuar llogaritjen e humbjeve të lejuara nga KEDS.

“Propozimet tona për raportin e të hyrave maksimale janë që të zvogëlohet hendeku nga 132 milionë euro në 110 milionë euro, duke  përfshirë në llogaritje edhe potencialin për zvogëlim të konsumit, gjë do të rezultonte me rreth 15 milionë euro neto kursim në import; – korrigjuar llogaritjen e humbjeve të lejuara për KEDS për 66 Gwh, apo rreth 7 milionë euro”, ka thënë Murati.

Propozim tjetër sipas tij është edhe llogaritja si kontigjencë tek të hyrat maksimale të lejuara 40.8 milionë eurot që gjykata themelore ka kërkuar t`u kthehet konsumatorëve nga KEDS.

“Kemi dhënë edhe një propozim tjetër. Gjykata ka marrë një aktgjykim sipas të cilit kërkohet nga ZRrE-ja që ta obligojë KEDS-in që shumën prej 40,855,480 euro t’ua kthejë konsumatorëve përmes tarifave. Kjo ka të bëjë me shumën që është faturuar deri në vitin 2017, pjesë e konsumuar në pjesën veriore. Janë rreth 41 milionë euro për të cilat ka një aktgjykim nga Gjykata Themelore mirëpo ky aktgjykim është apeluar nga ZRrE-ja”, ka thënë Murati.

“Kërkesa jonë ka qenë që kjo pjesë ky 41 milionë të përfshihet si kontigjencë në të hyrat maksimale të lejuara, dhe kësisoj të rezultojë me të hyra maksimale të lejuara më të ulëta”, shtoi tutje Murati.

Murati: Kemi propozuar që qytetarët të cilët harxhojnë deri në 1000 kWh (500 ditën dhe 500 natën) të mbeten me çmim të pandryshuar