Hekuran Murati: Familjet që reduktojnë konsumin e energjisë në krahasim me muajin e vitit paraprak, do subvencionohen

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati përmes një konference për media tha se janë duke dizajnuar masa që do nxisin qytetarët të kursejnë energjinë elektrike.

Ai tha se kushdo që ulë konsumin e energjisë në raport me muajin e vitit paraprak, do subvencionohet.

“Ne jemi duke dizajnuar edhe masa shtesë sa i përket kursimit të energjisë elektrike, çdo konsum i tepërt po na kushton shumë shtrenjtë për importim. Do shpallim masa nxitëse duke subvencionuar ata që kursejnë”, ka thënë Murati.

“Masat do dalin shumë shpjet me detaje, kushdo që arrin ta ulë konsumin në raport me muajin e vitit paraprak të subvencionohet”, shtoi Murati.

Sipas tij, ky subvencionim do bëhet në faturën mujore të atij muaji që ka konsum më të ulët se në vitin paraprak.

“Për shembull, nëse një familje shpenzon 10 për qind më pak në KWh orë gjatë ditës se në krahasim me muajin e vitit të shkuar, e njëjta shumë do subvencionohej në tërë faturën për atë muaj. Nëse dikush ka shpenzuar 100 euro në muajin e viti të kaluar dhe e ka ulur atë në 90 euro këtë vit, do marr subvencion nga shteti”, ka thënë Murati.

Po ashtu Ministri tha se i kanë propozuar Zyrës së Rregullatori të Energjisë që blloku tarifor për amvisëritë të jetë 1000 KW, prej tyre 500 gjatë ditës dhe 500 gjatë natës.

 

Murati: Kemi propozuar që qytetarët të cilët harxhojnë deri në 1000 kWh (500 ditën dhe 500 natën) të mbeten me çmim të pandryshuar