Osmani: Thirrja e presidentit Thaçi, e paprecedent dhe e rrezikshme për qytetarët

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të rrezikshme thirrjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të mos respektohen vendimet e Qeverisë për masat rreth coronavirusit.

“Si kryetare e Kuvendit të Kosovës e kam vlerësuar thirrjen e djeshme  të presidentit të Kosovës që të mos respektohen vendimet e Qeverisë si të paprecedent dhe të rrezikshme për qytetarët”, tha Osmani në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve që nga sot, nga ora 10:00 e paradites deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.

Ndërsa këtë vendim presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ku ka kërkuar të vendoset masë ndaj këtij vendimi si dhe i ka shkruar letër Kurtit duke i kërkuar pezullimin e vendimit.

Thaçi po ashtu ka bërë thirrje që ky vendim të mos zbatohet nga qytetarët.