Foto: Vjosa Osmani, Facebook

Osmani pritet me ceremoni shtetërore në Shqipëri nga presidenti Bajram Begaj

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka nisur vizitën e saj në Shqipëri dhe është pritur me ceremoni shtetërore nga homologu i saj, Bajram Begaj.

Osmani dhe Begaj kanë nisur një takim, pas të cilit pritet mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Presidenti Begaj në mbrëmje do të shtrojë darkë shtetërore për Presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova.

Tutje gjithashtu është thënë se gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Pas takimit, Presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Kryeministri Rama. Presidentja po ashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla” – ka njoftuar Presidenca.

Në agjendën e Presidentes Osmani është thënë se është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë, e po ashtu, në Tiranë Osmani do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.

“Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Presidentja Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare. Agjenda do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, Presidentes do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri” – thuhet në njoftim.

Më pas në komunikatë bëhet e ditur se në Durrës, Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.