Osmani: Pika fillestare e asociacionit duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës, jo propozimi i Serbisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka cilësuar si një rrugë të rrezikshme vendosjen e asociacionit në qendër të dialogut Kosovë – Serbi.

Në një diskutim në Atlantic Council, e para e vendit ka komentuar versionin e ekipit menaxhues për asociacionin, dhe propozimin e Qeverisë së Kosovës në takimin e 2 majit.

“Statusi i prezantuar nga ekipi menaxhues i cili është model për Republika Srpska plus, tregon se Serbisë nuk i interesojnë të drejtat e minoriteteve në Kosovë, por në fakt i intereson ta ketë një instrument përmes të cilit do të vazhdoj të sfidoj sovranitetin e Kosovës, territorin dhe stabilitetin”- tha ajo.

Sipas saj, versioni i Qeverisë së Kosovës është baza mbi të cilën duhet të bëhet organizimi i komunave me shumicë serbe.

“Versioni i prezantuar nga Qeveria e Kosovës janë parametrat dhe parimet kryesore në bazë të të cilave statuti do të ndërtohet, të cilat janë në përputhje me kushtetutën dhe po ashtu edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe letrën e SHBA-së”- tha ajo.

Osmani ka theksuar se pika kryesore e asociacionit duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës dhe jo ndonjë version tjetër.

“Pra pika fillestare duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës, dhe jo propozimi nga Serbia i cili synon një tjetër Dodik Republikë ose më keq në rajonin tonë. Ai duhet të refuzohet në mënyrë unanime si një model shumë i rrezikshëm dhe të mos shihet si bazë për negociata”- tha ajo.

E para e vendit, po ashtu ka theksuar se dialogu i filluar nga viti 2011 ka prodhuar rreth 40 marrëveshje, por që sipas saj lista e shkeljeve nga pala serbe është shumë e gjatë.

“Janë gati 40 marrëveshje që janë arritur në Bruksel, lista e shkeljeve të Serbisë është shumë e gjatë dhe vazhdon deri në javën e kaluar ku ata kanë bërë 8 shkelje të marrëveshjes së fundit të Ohrit”- tha ajo.

Osmani po ashtu ka folur edhe për qëllimin e dialogut, duke thënë se qendra është njohja e ndërsjellë.

“Qëllimi është njohja e ndërsjellë, aty duhet të jetë qendra. Nocioni normalizim i raporteve po përdoret nga BE për shkak të statusit të tyre neutral, gjithsesi, derisa qëllimi është normalizimi i raporteve, procesi nuk duhet të përdoret për ta normalizuar Vuçiqin, në kuptimin e të bërit atë të duket lideri pro-evropian e që nuk është”- tha ajo.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare. Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Kosova dhe Serbia më herët gjatë këtij viti kanë arritur Marrëveshjen e Ohrit, që veç tjerash parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog, që kur procesi ka nisur më 2011. Në të përfshihen edhe dy marrëveshjet për Asociacionin.

Lajçak këtë javë në Kosovë dhe Serbi