Osmani nga selia e NATO-s flet për sfidat e sigurisë që ka Kosova, përmend edhe grupet kriminale serbe në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga selia e NATO-s iu është drejtuar qytetarëve të vendit.

Ajo tha se sot përsëri Kosova ka marr përkushtimin e plotë të aleatëve që të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, që të vazhdojnë prezencën e tyre në Kosovë në kuadër të punës të përbashkët dhe angazhimit të përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet në të gjithë rajonin.

Osmani nga kjo seli foli edhe për, siç tha ajo, grupet kriminale serbe që janë një sfidë për vendin.

“Natyrisht që shumë nga sfidat me të cilat ballafaqohemi, në veçanti ato në veri të vendit për shkak të grupeve të organizuara kriminale serbe i diskutuam sot, duhet të punojmë me partnerët tanë në mënyrë që t’i zgjidhim të gjitha këto sfida të sigurisë” – tha ajo.

Tutje e para e vendit shtoi se çështja e sigurisë asnjëherë nuk është individuale, sipas saj është gjithnjë kolektive.

“Kosova siç e dini është shteti më pro NATO jo vetëm në rajon, por në të gjithë botën sepse vizioni i qartë i qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të Republikës është që të anëtarësohemi në këtë aleancë” – tha Osmani teksa kujtoi se kjo aleancë në vitin 1999 shpëtoi jetën e qytetarëve të Kosovës.

“Edhe sot e kësaj dite vazhdon me kontributin që të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë në paqe” – vazhdoi tutje presidentja.

Ajo tha se në këto 25 vite Kosova e ka dëshmuar që është partner i NATO-s dhe do të vazhdojë ta dëshmojë këtë edhe sot e tutje dhe natyrisht do të vazhdojë të koordinohet me partnerët në të mirë të të gjithë qytetarëve.

“Këtu mbrapa meje janë flamurët e shteteve anëtare të NATO-s, do të punojmë të gjithë së bashku që edhe flamuri i Republikës së Kosovës shumë shpejtë të valoj së bashku me flamurët e aleatëve” – tha Osmani.

Stoltenberg: Është esenciale që të shmanget çfarëdo përshkallëzim i mëtejmë