Osmani në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut: BE dhe NATO janë destinacioni ku dëshirojmë të jemi së bashku

Presidentja e vendit Vjosa Osmani në fjalën e saj para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut theksoi se destinacioni i të dy vendeve është Bashkimi Evropian dhe NATO.

“BE dhe NATO janë destinacioni ku dëshirojmë të jemi së bashku, këto dy sisteme vlerash janë modeli dhe standardi që ne duam ta aplikojmë në shtetin tonë dhe rajonin tonë. Rajoni jonë ka kaluar trazira të shumta, ka një të kaluar jashtëzakonisht të dhimbshme por një të ardhme jashtëzakonisht optimiste”- tha ajo.

Presidentja Osmani tha që Maqedonia si fqinj i Kosovës ndanë me Kosovën vlerat dhe synimet e njëjta, duke theksuar se ‘e ardhmja e dy vendeve është jashtëzakonisht premtuese”.

“Me Maqedoninë e Veriut nuk jemi vetëm fqinj gjeografik por i ndajmë të njëjtat vlera dhe të njëjtat synime. Qëllimi ynë i përbashkët është familja evropian, aty ku e kemi të ardhmen e mbi të gjitha aty ku tashmë e kemi dëshmuar se e meritojmë ta kemi vendin”- tha ajo.

Para deputetëve maqedonas, e para e vendit foli edhe për raportet e Kosovës me Maqedoninë e Veriut.

“Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera jo vetëm në letër por edhe në vepër, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike kemi zhvilluar përparim të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dy palëshe forcimin e klimës së fqinjësisë së mirë të cilën e kemi kultivuar në vazhdimësi”- tha ajo.

“Ndër fushat kyqe të bashkëpunimit është ajo e zhvillimit ekonomik… Potenciali është jashtëzakonisht i madh prandaj le ta shfrytëzojmë dhe të sigurohemi që ky bashkëpunim të lulëzoj edhe më tej”- theksoi ajo.

Presidentja Osmani sot ka filluar vizitën zyrtare të saj në Maqedoninë e Veriut.

Me nderime të larta shtetërore e ushtarake nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka pritur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Përveç Pendarovskit e para e vendit do të takoj edhe me kryeministrin Dimitar Kovacevski.

Përgjatë ditës, ajo poashtu do të ketë takime të ndara edhe me grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend si dhe një drekë pune të përbashkët me gra lidere të fushave të ndryshme.

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova në komunën e Çairit. Ndërkaq në selinë e Ambasadës së Kosovës, Presidentja Osmani do ta dekorojë post-mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, liderin ikonik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut,  Arbën Xhaferi.

Osmani pritet nga presidenti maqedonas Pendarovski