Presidentja Vjosa Osmani, 15 janar 2022, Foto: Facebook

Osmani: Mitrovica kurrë nuk do të harrojë tmerrin e 3-4 shkurtit të vitit 2000

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar ngjarjen e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani është shprehur se Mitrovica kurrë nuk do të harrojë tmerrin e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000.

“Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë tmerrin e 3-4 shkurtit të vitit 2000, kur u vranë 10 qytetarë të saj, në mesin e të cilëve edhe pleq, gra e fëmijë”, është shprehur presidentja.

Osmani ka kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë.

“Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë”, ka shtuar Osmani.

Presidentja Osmani është lutur që ngjarje të tilla të mos përsëriteshin kurrë.

“25 të plagosur nga ajo natë dhe 1664 familje të dëbuar me gati 12 mijë anëtarë nga ajo pjesë janë dëshmi e natës së trishtë, kur ata pësuan vetëm pse ishin shqiptarë por edhe dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në veri të vendit vazhdoi edhe pas luftës. Ngjarje të tilla mos u përsëritshin kurrë, teksa kujtimi për të vrarët qoftë i përhershëm”, ka thënë e para e vendit.