Osmani: LDK ofron shpresë

Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka deklaruar edhe një herë sot se shtetin e kapur, siç u shpreh ajo nga partitë në pushtet, do t’ia kthejë qytetarëve.

Këtë mesazh ajo e dha nga objekti i Lidhjes së Prizrenit, ku pati një tubim me qytetarët e kësaj ane.

Osmani duke aluduar në partitë që kanë qeverisur në këto dy vjet, u shpreh se ata mbjellin frikë, ndërsa LDK ofron shpresë. Ndërkaq, për pretendimet për çkapjen e shtetit, ajo tha se ky mesazh buron nga thellësia e zemrës të qytetarëve.

Ndërkaq, për deklaratat se ‘Vjosa nuk ka guxim’, ajo tha se guximin e saj e dëshmon deklarata se nuk ka qenie më të fortë se një nënë.

Kandidatja për kryeministre të Kosovës tha se partia e saj e ka guximin edhe dijen, teksa theksoi se miqtë ndërkombëtarë mund t’i mbajnë vetëm ata.

Për të rinjtë që po ikin, ajo iu premtoi dinjitet në punë, teksa tha se ata nën mandatin e saj do të punojnë vetëm 8 orë punë dhe jo më shumë.

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni tha se populli është në kërkim të gjakut të Ibrahim Rugovës dhe sipas tij, Vjosa Osmani e ka gjakun e tillë.

Ndryshe, menjëherë pas zyrtarizimit të kandidaturës për kryeministre nga ana e LDK-së, Vjosa Osmani ka nisur përgatitjen për fushatë zgjedhore duke takuar qytetarë nga rajone të ndryshme të Kosovës./RTK