Osmani: Kosova ka pasur vështirësi në përballje me pandeminë për shkak të sistemit të brishtë shëndetësor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin e saj në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax për sfidat e Kosovës në përballje me pandeminë si dhe në fushën e sigurisë.

Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova ka pasur vështirësi në përballje me pandeminë COVID-19, shkaku i një sistemi të brishtë shëndetësor, të trashëguar nga vitet e 90-ta dhe për shkak se ishte vendi i fundit në Evropë që filloi me administrimin e vaksinave.

“Kosova tani është bërë lider jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për sa i përket përqindjes së popullsisë së vaksinuar”, ka thënë Osmani.

Tutje presidentja ka treguar se Kosova ka refuzuar të marrë vaksina nga Rusia dhe Kina. 

“Është detyra jonë t`i bindim qytetarët tanë se vaksinat që ne përdorim janë të sigurta dhe se kjo është e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë jashtëzakonisht sfiduese mjekësore dhe ekonomike”, ka potencuar presidentja Osmani.