Osmani: Koalicioni po funksionon shumë mirë

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se koalicioni LVV-LDK është duke funksionuar shumë mirë.

“Unë e shoh qe koalicioni po funksionon shumë mirë. Dallimet e vogla do të anashkalohen”, tha ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

E pyetur nga gazetarët nëse Qeveria Kurti po rrezikon raportet me SHBA për heqjen e pjesërishme të tarifës 100 për qind, Osmani tha se nuk e sheh një gjë të tillë.

“Kurse sa i përket vlerësimeve se dikush po tenton të rrezikojë apo shkatërrojë raporte me SHBA-ë, si kryetare e Kuvendit, në asnjë moment unë nuk kam parë ndonjë tendë apo ndonjë qëllim nga kushdo në qeveri që të dëmtojë këto relacione”, tha ajo.

Osmani tha se për çështjen e tarifës do të takohen sot  me kryeministrin Kurti.

“Ne sot do të kemi takime me kryeministrin që të diskutohen këto çështje dhe lidhur me propozimin e tij të fundit do të dalim me qëndrim vetëm pas atij takimi. [Takimi] nuk është në ora 3, ka të tjera. Kemi takime më vonë. Janë takime të rregullta koordinues. Do të ketë përfaqësues të LDK-së”, tha ajo.

Ndërkaq, e pyetur nëse vendimi i Kurtit ka qenë në koordinim me partnerin qeverisës LDK-në, Osmani tha se vendimi  është ekzekutiv e jo i Kuvendit.

LIVE – Konferenca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit

LIVE – Konferenca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 28 février 2020